Zjarri i madh që ka rënë dje në afërsi të fshatit Nemanjici të Shën Nikollës ka shkatërruar një pjesë të shtëpive, një person ka humbur jetën, ndërsa një numër i madh i banorëve është dashur të evakuohen nga banesat e tyre për shkak të rrezikut nga zjarri. Disa prej tyre nuk donin të largoheshin nga shtëpitë e tyre, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, zjarrfikësit dhe policia shkuan shtëpi më shtëpi për të kontrolluar se ku ndodheshin njerëzit dhe për të nxjerrë ata që kishin mbetur pas.
“Jeta e njerëzve ishte në rrezik, dhe disa banorë nuk donin të largoheshin nga shtëpitë e tyre edhe pse zjarri ishte shumë afër… Thjesht, nga zjarrfikësit janë kontrolluar edhe disa nga shtëpitë e rrezikuara nga zjarri, që ndonjë banorë të mos ketë mbetur rastësisht… E kanë pasur të vështirë të largohen nga shtëpitë e tyre”, thanë mëngjesin e sotëm nga QMK.
Zjarri në Shën Nikollë është ende aktiv, sot përveç zjarrfikësve nga toka do ta shuajnë edhe një helikopter dhe tre ajrotraktorë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.
Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.