Pas një operacioni prej 6 orësh të koordinuar mes institucioneve, është gjetur shtetasi rumun i cili në ora 21 të mbrëmjes që lamë pas u raportua si i humbur në malin e Matkës, njofton TV21.
Shtetasi rumun është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, por i çorientuar dhe i frikësuar.
Njoftimi i plotë nga Qendra për Menaxhim me Kriza:
Në ora 21:55, përmes Numrit Unik për Thirrje Emergjente 112, në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) u pranua një thirrje nga një shtetas rumun, i cili ishte humbur gjatë lëvizjes së pavarur në rajonin e Matkës, në afërsi të shpellës Vrello, në territorin e Komunës së Sarajit.
Menjëherë pas pranimit të njoftimit, QMK-ja ndërmori të gjitha aktivitetet e nevojshme dhe njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendshme (QIK Shkup), Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar përfshirjen e tyre në operacionin e kërkimit. Përmes komunikimit të vazhdueshëm me personin e humbur, operatorët e QMK-së arritën ta përcaktojnë vendndodhjen e tij të përafërt, bazuar në koordinatat dhe të dhënat e marra nga thirrja në numrin 112. Këto të dhëna më pas iu përcollën MPB-së për lokalizim më të shpejtë dhe më efikas.
Personit iu dha udhëzim i qartë që të mos lëvizte nga vendi ku ndodhej, pasi për shkak të natës, terrenit të paarritshëm dhe çorientimit, kjo paraqiste alternativën më të sigurt dhe njëkohësisht mundësonte zhvillimin më të lehtë të operacionit të kërkimit.
Nga ana e MPB-së – EVR Gjorçe Petrov dhe Stacioni Policor i Sarajit, në koordinim me QMK-në, u organizua menjëherë një operacion kërkimi në terren. Për shkak të terrenit të paarritshëm nga ana e Matkës, ekipi i shpëtimit iu afrua vendit përmes Parkut Nacional Jasen. Në operacionin e kërkimit, me automjet terreni, u përfshi aktivisht edhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza,z. Muhamed Ali, në mbështetje të ekipeve policore.
Në ora 03:45, personi u gjet me sukses. Edhe pse ishte dukshëm i frikësuar dhe i çorientuar, ai ishte në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Pas gjetjes, ai u dërgua në Stacionin Policor të Sarajit, ku Ministria e Punëve të Brendshme ndërmori veprimet e mëtejshme në përputhje me kompetencat e saj, duke pasur parasysh se bëhej fjalë për një shtetas i huaj.


