Mbipesha është një problem serioz për një numër të madh të fëmijëve dhe adoleshentëve, në vend. Nëse nuk kushtohet kujdes nga ana e prindërve për të ushqyer fëmijët e tyre, si dhe faktor tjetër si mos aktiviteti fizik, ndikon në obezitetin te fëmijët. Mjekët, për Portalb.mk, thonë se në këtë kohë të pandemisë, ku edhe përdorimi i paisjeve teknologjike ka zënë vendin e aktiviteteve fizike, mbetet shqetësim për fëmijët tanë, shkruan Portalb.mk.
Sipas, doktorit Arben Taravari, pandemia në vitin 2020 në shumë raste lakohet edhe si Lufta e Tretë Botërore, një luftë e cila ndryshe nga dy “koleget” e saj të para nuk bëhet në fronte me barikada, me artileri të rëndë dhe bombardime ajër-tokë, por bëhet në kushtet e “Armikut të Padukshëm”. Një nga dëmet që shkakton kjo gjëndje është padyshim ankthi.
“Ankthi i cili ushqehet nga një surealizëm tek i cili ka kontribuar shumë edhe epoka e mediave sociale. Duhet të kujtojmë që kjo është pandemia e parë e shpallur në kohën e Facebook-ut apo Instagram-it.
Një nga masat më efikase mbrojtëse ndaj COVID-19 deri tanimë është cilësuar ai që e quajnë distancim social, pavarsisht që duhet për korrektësi të termave të përdoret distancim fizik.
Gjithsesi të mbyllurit në shtëpi, si detyrim, për më tepër pa një datë lirie, shkakton padyshim ankth!
Dy forma me të cilat shoqërohet ankthi është ose reduktim i dëshirës për të ngrënë (zvogëlim oreksi), ose shtim i kësaj dëshire. Në të dyja rastet është një ndjesi shumë normale për rrethanat në të cilat po jetojmë. Kam ndjekur disa dietologë që bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në mënyrën si ushqeheni. Jam dakort teorikisht me këtë këshillë sepse mbingrënia në pjesën më të madhe sjellë mbipeshë, përjashto metabolizmat që kanë shpejtësi të mëdha, mbipesha mund të sjellë obeziteti dhe dihet që ky i fundit konsiderohet sëmundje dhe për më tepër aleat i disa sëmundjeve”, tha dr.Arben Taravari, ish ministër i shëndetësisë i Maqedonisë, për Portalb.mk.
Sipas tij, shëndeti i mirë mendor është një komponent i rëndësishëm i shëndetit dhe mirëqenies sonë të përgjithshme. Ku dhe arrijmë të menaxhojmë jetët tona në mënyrë të mirë të mundshme.
“Duke njohur kurthet e stresit duhet të kemi kujdes mos ta teproni me “urdhrat” që i jepni trurit tuaj! Dua të them që mos u tregoni shumë të ashpër me veten tuaj duke nisur dieta apo stërvitje në kushtet e shtëpisë. Detyra kryesore është të arrijmë të kuptojmë që kjo është një periudhë kalimtare, të moderojmë konceptin “izolim, karantinë” në “shijim shtëpie”.
Për të gjithë njerëzit me mbipeshë kujdesi ndaj të ngrënës duhet të jetë i njëjtë si disiplina që një pacient duhet të ketë ndaj terapisë. Për të gjithë të tjerët, duhet të rrini më pak në internet, kështu do të lëvizni më shumë dhe do të ndihmoni metabolizmin tuaj të tretë sasinë e ushqimit, qoftë kjo edhe më e madhe se zakonisht”, tha Taravari.
Si përfundim, ai sugjeron të kemi kujdes por edhe të mos e kalojmë kujdesin në frikë, sepse si mjek siguron që nuk ka asnjë arsye për ankth, frikë apo panik.
Këtë mendim ndan edhe dr. Rexhep Emurllai, që fëmijët dhe të rinjtë të rriten shëndetshëm, është e rëndësishme që ata të jenë fizikisht aktiv dhe të hanë ushqime të shëndetshme çdo ditë. Ai për portalb.mk thotë se prindërit janë ata që duhet t’i mbikqyrin fëmijët në kontroll të ushqimit. Ku edhe rekomandon ushqim me proteina, karbohidrate dhe produkte qumshtore, si dhe brumna në sasi të konsiderueshme.
“Për parandalimin e mbipeshës që çon deri në obezitet, janë aktivitetet fizike më se të nevojshme, veçmas në këtë periudhë ku edhe jetojmë të mbyllur. Por, problemi qëndron se rrallë kush në shtëpitë e veta ka kushte për trajtim të aktiviteteve fizike, por duhet të gjendet një rrugëzgjidhje sepse është më se e nevojshme për rruajtjen e shëndetit. Në të kundërtën duhet reptësisht kontroll në ushqim. Pandemia, ku edhe e jetojmë do të lë pasoja në këtë aspekt, por për t’a reduktuar këtë “fatkeqësi”, rekomandoj që prindërit të konsultohen me mjekët, përmes mjeteve të komunikimit teknologjik”, tha dr. Emurllai, për Portalb.mk.
Të dhënat e fundit në RMV, nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se prevalenca e obeziteti tek djemtë është rritur nga 19,5 në 20,5%, ndërsa tek vajzat nga 13,1 në 15,2%.
Mjekët e shohin shqetësuese faktin se mos aktiviteti fizik , në kohën e pandemisë dhe mos ushqyerja me kontrollë, sidomos të personat që kanë mbipeshë trupore, ose që janë obezë jetojnë me një invaliditet specifik dhe kanë një cilësi më të ulët të jetës. Ata janë më të rrezikuar nga paraqitja e sëmundjeve të cilat mund të shkaktojnë vdekje të parakohëshme.



