VMRO DPMNE edhe sot ka sulmuar kryesinë e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Ata akuzuan se udhëheqësia ka paga të mëdha, ndërsa disa anëtarë kanë edhe të ardhura të tjera që vijnë nga aktivitete që nuk kanë të bëjnë me punën në LSM, transmeton Portalb.mk.
Deputeti Brane Petrushevski nga VMRO DPMNE, i cili ka rrogë 116.000 denarë, pa shpenzime të udhëtimit dhe mëditje të tjera, të cilat sipas ligjit janë para buxhetore, publike, deklaroi se të dhënat për të ardhurat e kryesisë së LSM-së ua ka dhënë një sinjalizues i sindikatës.
Përndryshe, Sindikati ka mbi 75 mijë anëtarë, nuk është institucion buxhetor dhe financohet kryesisht nga anëtarësimi.
“Sipas sinjalizuesve nga LSM, të cilët janë të zhgënjyer me udhëheqësinë aktuale, Trendafilov dhe njerëzit rreth tij e kanë kthyer Sindikatat në kompani private. Trendafilov dhe njerëzit rreth tij punojnë për pozitat e tyre, sipas shënimeve të LSDM që ata u vendosën në mënyrë të paligjshme. Këta janë njerëz që derisa i gënjejnë punëtorët për minimalen, ata marrin paga shumë herë më të larta se sa ajo”, thotë Brane Petrushevski.
Kujtojmë se Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), ka njo ftuar se më 2 prill do të protestojnë në rrugët e Shkupit. Kjo vjen pasi të martën Qeveria miratoi informacionin se paga minimale do të rritet për 1800 denarë neto, dhe sipas LSM-së, vendimi është i kundërligjshëm.