Profesori Temelko Ristevski, njohës i së drejtës kushtetuese dhe profesor i administratës publike në Universitetin FON, thotë se përgjegjësia e institucioneve duhet të jetë e lartë, pasi punonjësit e tyre duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo për pasurimin e tyre.
Sipas tij, rasti në fjalë (bonuset në KSHZ) edhe një herë ka ngritur nevojën e pasjes së një sistemi të fuqishëm të ndjekjes, por edhe të përgjegjësisë për çdo shkelës të ligjit.
“Ata janë në shërbim të qytetarëve dhe nuk duhet të shfrytëzojnë funksionin e tyre në vjedhjen e qytetarëve. Atje ku janë konstatuar keqpërdorime të pozitës zyrtare, organet e ndjekjes duhet të veprojnë, para se gjithash nga prokuroria dhe të sanksionojë çdo shkelës të ligjit. Në njërën anë kemi qytetarë të varfër dhe institucione që nuk kanë para për të shlyer detyrimet ndaj qytetarëve, dhe në anën tjetër funksionarë që nuk mbajnë asnjë llogari për shpenzimin e parave të taksapaguesve”, thotë Ristevski për Radion Europa e Lirë.
Enti i revizionit shtetëror gjatë hetimeve të kryera nëpër institucione ka konstatuar parregullsi të shumta. Por, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë e përgjegjësisë, qoftë nga Prokuroria Publike apo Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky institucion shtetëror nuk ka mbajtur asnjë seancë për të proceduar rastet e denoncuara, por në një moment kishte dalë në mbrojtje të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski lidhur me fletën anketuese të pasurisë së tij.
Sipas ekspertëve, përgjegjësi duhet të mbajë edhe Kuvendi në rastin e trupave apo anëtarëve të institucioneve që emëron, siç është rasti me anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

