Presidenti i vendit, Gjorgji Ivanov dje pasdite, brenda afatit ligjor, e nënshkroi rishikimin e buxhetit, i cili u votua nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë para shtatë ditëve. Pas nënshkrimit, rishikimi i buxhetit është dërguar në shërbimet e Kuvendit, ku pason publikimi në “Gazetën Zyrtare” dhe hyn në fuqi.
Ky rishikim parasheh shkurtime të mjeteve në disa krerë të Kuvendit, ndërsa në masë të madhe janë shkurtuar edhe mjetet për institucionet që udhëheqin ose tangojnë shqiptarët. Universiteti “Nënë Tereza” është goditur rëndë nga rishikimi më i ri i arkës shtetërore. Edhe pse ky universitet pritej që të kompletohet me kuadër arsimor dhe të fitoj objekt të vetin, me rishikimin e ri duket që “Nënë Tereza” edhe një kohë të gjatë do të ngelet pa kuadrin e nevojshëm.
Në rishikimin e ri të buxhetit këtij universiteti iu morën gjysmë millioni euro nga buxheti i paraparë për këtë vit dhe pjesa më e madhe shkurtohen pikërisht nga pagat dhe kompensimet. Në buxhetin fillestar për këtë vit, për universitetin “Nënë Tereza” ishin paraparë mbi 116 milionë denarë, ndërsa me rishikimin e fundit të Qeverisë, këtij universiteti i merren 35 milionë denarë apo 570 mijë euro. Pjesë më e madhe shkurtohen pikërisht nga mjetet që jepen nga buxheti shtetëror dhe nga grafa e pagave dhe kompensimeve.
Nga 60.520.000 euro sa ishin paraparë në buxhetin fillestar për pagat e profesorëve dhe të punësuarve në Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, me rishikimin e propozuar tani parashihen vetëm 27.428.000 denarë. Me këtë UNT-së i hiqen rreth 33 milionë denarë apo 538 mijë euro nga buxheti i paraparë për pagat dhe kompensimet.
Me rishikimin e ri të buxhetit është prekur edhe Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nga 666.699.000 denarë sa ishin paraparë në fillim, nga buxheti qendror SIOFA ka ngelur me 645.849.000 denarë, apo rreth 340 mijë euro më pak. Në propozim ribalansin e buxhetit shihet qartë se shkurtmet kryesisht kanë të bëjnë me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ku në total janë shkurtuar 258 mijë euro për këtë pjesë.
Në grafën e implementimit të Marëveshjes së Ohrit ka gjithsej katër nëngrafa te tjera në të cilat bën pjesë edhe implementimi i marëveshjes së Ohrit si e veçantë dhe në të tregohet më së miri se pikërisht për këtë qëllim janë bërë edhe shkurtimet më të mëdha. Në këtë grafë nga 50.513.000 denarë janë lënë 39.724.000 denarë, që nënkupton se janë shkurtuar rreth 175 mijë euro. Me rishikimin e buxhetit, në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit kanë shkurtuar dukshëm buxhetin e pagave për të punësuarit.
Arben Zeqiri
Rishikimi i buxhetit, SIOFA-S dhe “Nënë Terezës… by tvshenjaofficial

