Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka shpallur lansimin e platformës “Kosova e Para”, e cila synon të promovojë interesin kombëtar mbi atë partiak dhe të forcojë unitetin qytetar.
Me këtë platformë, Bislimi thekson se ka ardhur koha për një kthjellje kombëtare, duke e vendosur Kosovën në një pozicion më të fortë në arenën ndërkombëtare.
Lexoni të plotë postimin:
Sot, me krenari, prezantoj platformën “Kosova e Para”, e cila ka për qëllim të promovojë interesin kombëtar mbi atë partiak. Ne synojmë të forcojmë unitetin qytetar dhe të avancojmë pozitat tona politike dhe diplomatike, duke e lidhur Kosovën zyrtarisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Marrëveshjes së Asociimit të Lirë.
Angazhimi im për çështjen e Kosovës është i gjatë dhe i thellë, duke punuar në zemër të vendimmarrjes amerikane. Marrëdhënia me SHBA-të është më shumë se një partneritet politik; ajo është një lidhje ekzistenciale për shtetin tonë.
Kosova ekziston si një shtet i lirë falë sakrificës së popullit të saj dhe mbështetjes së pakushtëzuar të Amerikës. Nëse duam një të ardhme të qëndrueshme, na nevojitet një rifreskim i kësaj aleance, jo vetëm në letra, por në veprime konkrete.
Ne jemi në një moment kritik për Kosovën, ku lidershipi ynë duket i përqendruar në përplasje të brendshme, duke e lënë pas interesin kombëtar. Kjo situatë kërkon një drejtim të qartë dhe të përbashkët.
SHBA-të janë shtylla e aleancës sonë me botën demokratike. Askush nuk duhet të ketë iluzione për rëndësinë e Amerikës në rrugën tonë ndërkombëtare. Aleancat kërkojnë mirëkuptim dhe komunikim të sinqertë.
Prandaj, është e domosdoshme të rikthejmë besimin dhe respektin me SHBA-të. Kjo është një përgjegjësi historike, që kërkon seriozitet politik dhe pjekuri shtetërore.
Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm, me një rini të shkëlqyer dhe miq të fortë ndërkombëtarë. Mungesa e kohezionit të brendshëm dhe e drejtimit është pengesa jonë më e madhe. E ardhmja kërkon veprim, jo thjesht retorikë.
Le të fillojmë një kapitull të ri për Kosovën, duke u angazhuar për një shtet që bashkon dhe ndihmon. Kosova e Para është një thirrje për veprim dhe bashkim rreth vlerave që na bëjnë të fortë.
Unë besoj në Kosovën tonë dhe në potencialin e saj. Le të bashkohemi për të ndërtuar një të ardhme që përmbush ëndrrat e brezave që sakrifikuan për të.