Alsat 2019-07-29T15:26:22+02:00
Pas qëndrimeve të forta se nuk do të negociohet për asgjë me pushtetin pa u caktuar data për zgjedhje të parakohshme parlamentare, VMRO-DPMNE-ja i kthehet grupeve të punës për propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike. Pushteti dhe opozita do të tentojnë harmonizimin e qëndrimeve, por secila palë do të shpalosë propozimin e vet. Kryeministri Zoran Zaev pret që grupet e punës të dalin me rezultat konkret, duke shtuar se opozita nuk ka alibi të pengojë procesin për faktin që një pjesë e madhe e vërejtjeve të tyre janë përfshirë në propozimin e Qeverisë.
Ju thash se do t’i jap shansin një pajtimi publik që të mund grupet e punës të punojnë lirshëm. Besoj se gjatë kësaj jave do të arrijnë të pajtohen për takime. Nuk do të jap komente të drejtpërdrejta sepse mund ta rrezikoj procesin. Kjo është periudhë për bisedime dhe duhet biseduar. Shpresoj që vërejtjet e opozitës që i kemi pranuar do të kenë kuptim për opozitën dhe do të gjendet zgjidhje e përbashkët- tha Zoran Zaev.
Derisa kryeministri mbetet në qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme janë të dëmshme për vendin, VMRO-DPMNE-ja mbetet e prerë se edhe përskaj marrëveshjes mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike, i njëjti duhet merr dritë jeshile në takim liderësh ku edhe do të caktohet data për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mbetemi në qëndrimin se në cilin do takim liderësh duhet caktuar data për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Është mirë që pushteti ka pranuar të ulet përsëri dhe të bisedojë me opozitën, duke shpresuar se kësaj here do të jetë më i sinqertë në pranimin e kërkesave tona mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike- deklaroi Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ndonëse opozita dhe pushteti kishin dallime krejtësisht të kundërta mbi Prokurorinë Publike dhe fatin e PSP-së dhe dolën secila palë me propozimet e veta, ardhja e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit dhe thirrja e tij që opozita t’i lë anash lojërat politike, bëri që palët të rikthehen në grupet e punës. Opozita dhe pushteti kanë dallime të thella kryesisht në modelin e funksionimit të PSP-së në kuadër të Prokurorisë Publike. Pushteti propozon Prokurori për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, ndërsa opozita propozon departament në kuadër të Krimit të organizuar. Qeveria propozon Prokurori me buxhet të pavarur, opozita kërkon 1 për qind nga buxheti shtetëror për gjithë Prokurorinë Publike, duke kundërshtuar edhe kalimin e Katica Janevas në Prokurori Republikane. Njëra ndër pikat e vetme ku përputhen pushteti dhe opozita është që lëndët e PSP-së, akuzat, hetimet dhe procedurat para-hetimore të kalojnë në duart e kryeprokurorit, ndërsa materialet e përgjuara të shkatërrohen në përputhje me Ligjin për Procedurë Penale.
Adrian Kerimi
Loading…


