Alsat 2019-08-04T14:49:39+02:00
Institucione me mungesë të raporteve financiare, që nuk paguajnë faturat e ujit dhe që shesin parcela kontestuese. Këto janë vetëm disa nga parregullsitë që Enti shtetëror për revizion i ka hasur në institucione të ndryshme qendrore dhe komunale. Njëri nga institucionet ku është evidentuar numër i madh i parregullsive është Agjencia e Filmit. Revizioni ka vërejtur se ky institucion nuk ka miratuar Strategjinë për zhvillimin e veprimtarisë së filmit, bashkë me Planin Aksionar për realizimin me aktivitetet e përkufizuara, bartësit e aktiviteteve, masat e realizimit, indikatorët e evalvimit, afatet e realizimit dhe burimet e mjeteve buxhetore dhe jashtë buxhetore. Revizioni vlerëson se “Mosndërmarrja e aktiviteteve për të miratuar këtë akt të rëndësishëm ndikon mbi punën e përditshme të Agjencisë”. Por janë vërejtur edhe një sërë parregullsi të tjera.
– Gjatë shpalljes së konkurseve për projektet e filmit dhe projektet tjera, Agjencia nuk i ishte përmbajtur kushteve dhe kritereve të domosdoshme të Ligjit për veprimtarinë e filmit, e as që ka miratuar akt-procedurë interrne.
– Në marrëveshjet e lidhura me shtëpitë e producentëve janë konstatuar lëshimet në aspekt të garancisë bankare të lëshuar në mënyrë joadekuate ose mos-vazhdimit të afatit të vlefshmërisë së saj.
– Agjencia e Filmit nuk ka inspektim në të ardhurat e realizuara nga shpërndarja dhe shitja e projekteve të filmit.
– Është lidhur marrëveshja dhe tri anekse në këtë marrëveshje, për financimin shumëvjeçar të projektit / serisë artistike që aspak nuk është realizuar, ndërsa për të janë paguar mjetet në shumën e caktuar, prej të cilave vetëm një pjesë janë kthyer, përkatësisht mbesin mjetet të cilat deri në ditën e revizionit nuk janë kthyer.
– Janë dhënë hua nga njëra shtëpi e producentëve në shtëpinë tjetër të producentëve nga mjetet e llogarisë me dedikim për filmin konkret, që mund të shfrytëzohet ekskluzivisht për projektin e filmit për të cilin është hapur.
Pas vërejtjeve të lartë përmendura por edhe lëshimeve të tjera nga Agjencia e Filmit, Revizioni ka rekomanduar të ndërmerren masa për tejkalimin e gjendjes të konstatuar. Parregullsi tjetër që rëndojnë në miliona euro për buxhetin e shtetit, është edhe mos pagesa e ujit nga institucionet e shtetit. Revizioni thotë se më tepër se gjysma e ndërmarrjeve të përfshira publike aspak nuk bëjnë pagesën e kompensimit të përllogaritur për shfrytëzimin e ujit, ndërsa të tjera bëjnë pagesë të pjesshme, më shpesh pas mbikëqyrjes së kryer inspektuese.
“Në Buxhetin e RMV-së, afër 5.200.000 euro, apo 92,68% nuk është paguar kompensimi i theksuar”, thuhet në raportin e Revizionit Shtetëror.
Për parregullsitë që ka hasur Enti shtetëror për Revizion gjatë punës së vitit 2018, ka dorëzuar 21 lëndë në Prokurorinë publike, Anti-Korrupsion, MPB dhe Policinë financiare, për 13 institucione qendrore dhe lokale.
Mefail Ismaili
Loading…



