Alsat-M 2019-05-29T15:38:57+02:00
Regjistrimi i popullsisë do të bëhet derë më derë, përmes pajisjeve elektronike. Rreth 5 mijë regjistrues dhe qindra instruktorë në 45 rajone, nga 1-21 prill të vitit 2020 nuk do të përdorin më fletushka për të regjistruar banorët dhe amvisëritë. Nga Enti i Statistikave thonë se kjo metodë e kombinuar bëhet për numërim më efikas dhe vërtetim i atyre të dhënave nga terreni me data bazat që posedon shteti. Drejtori Simovski tha se edhe regjistrimi i diasporës do të evidentohet nga familjarët e tyre nëpër vendbanime ose ata personalisht mund të paraqiten në formë elektronike.
Regjistrimi, për dallim nga e kaluara që dështoi, do t’i përfshijë të gjithë individët në këtë proces, duke përfshirë personat që janë të pranishëm në vend dhe ata që mungojnë në shtet. Në këtë rast do të respektohen të gjitha standardet e shërbimeve statistikore të Kombeve të Bashkuara dhe të Eurostatit, siç janë kategoritë e popullsisë, definimi i tyre dhe këtu nuk do të ketë asnjë lëshim.”- u shpreh – Apostoll Simovski, Drejtor i Entit të Statistikave
Nga Enti i Statistikave thonë se vërtetësinë e të dhënave do ta verifikojnë përmes numrave amë të qytetarëve deri në shpalljen e rezultateve finale. Zëvendësdrejtori Ademi tha se në këtë draft parashihet të jetë nga një regjistrues në terren, përveç në vendbanimet shumë etnike, ku regjistrimi do të zhvillohet deri në shtatë gjuhë.
Me regjistrimin e popullsisë dhe të amvisërive do të mblidhen të dhëna për karakteristikat demografike, gjeografike, ekonomike, arsimore, të emigracionit dhe për karakteristikat etno-kulturore dhe religjioze. Bazuar në dinamikën e vendosur në planin operativ ne si Ent Shtetëror për Statistikë planifikojmë që certifikimi i rezultateve do të bëhet më së voni 6 muaj nga përfundimi i regjistrimit.”- theksoi Zirap Ademi, Zëvendësdrejtor i Entit të Statistikave
Pas shtyrjeve disa mujore, Qeveria përfundimisht dje aprovoi Propozim-Ligjin për regjistrimin e popullsisë, i cili do të kushtoj 8,5 milion euro. Kjo u arrit pasi që partitë e koalicionit harmonizuan qëndrimet për nënshkrimin e dyfishtë nga drejtuesit e entit të statistikës gjatë procesit të regjistrimit dhe certifikimit të rezultateve. Tani, Ministria e Drejtësisë do të dërgoj në procedurë parlamentare për miratim. Regjistrimi pilot në dhjetë komuna do të mbahet muajin e ardhshëm. Regjistrimi i fundit është mbajtur në vitin 2002, ndërsa në vitin 2011 dështoi pesë ditë para mbylljes së procesit.
Adnan Qaili
Loading…



