Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mundësitë për të përshpejtuar integrimin e rajonit në BE, kanë qenë tema kryesore e bisedimeve në Bruksel mes Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Siç kanë njoftuar nga zyra e Mogherinit, viti 2018 do të ofrojë një mundësi unike për rajonin që të bëjë hapa të pakthyeshëm përpara në integrimin në BE, me kusht që prioritet maksimal t’u jepet reformave të nevojshme, në veçanti reformave për sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore.
“Me një dinamikë të përtërirë në politikën e zgjerimit të BE dhe një shans për të bërë përparim të rëndësishëm në të gjithë rajonin, Përfaqësuesja e Lartë nënvizoi nevojën për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar reformat thelbësore, për të përmbushur pritjet e qytetarëve të tyre dhe për të ndërmarrë hapa konkret drejt integrimit në BE”, thuhet në njoftim.
Pjesëmarrësit theksuan vendosmërinë dhe interesin e tyre të thellë në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në promovimin e mirëkuptimit rajonal.

