Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas mbështetjes që i jep kryeministri Zoran Zaev fushatës së BDI-së. Në reagimin e kësaj partie politike drejtuar mediave thuhet se me përvojën e tij si kryetar komune nga radhët e një partie opozitare do të duhej që së paku t’i kujtohet se këto lloje të veprimit nuk kanë të bëjnë fare me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit.
“Ia përkujtojmë se njëra nga partitë e cila përmendet me përpikëri në sintagmën e KE dhe organizatave tjera ndërkombëtare me relevancë është mu ky organizimi politik – BDI, e cila prej kohës së regjimit dypartiak të uzurpimit të shtetit ka vazhduar me të njëjtën kryesi dhe pa dhënë asnjë llogari. A e ka të njohur Zaevi se sa janë kërcënimet e tija publike për bashkëpunim mes qeverisë dhe shtetit vetëm në raste kur partitë qeverisëse kanë shumicë dhe kryetarë, në përputhje me kriteret e Kopenhagës dhe në përgjithësi me kulturën demokratike në shtet”, theksohet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Aleanca theskon se Zaev, i cili pretendon të sjell jetë në Maqedoni për të gjithë, personi i cili ishte më i zëshëm për çlirimin e qytetarit nga zgjedha partiake, nga kontrolli i “pamëshirshëm” i partisë mbi qytetarin, duhej të ishte individi i fundit i cili do të duhej të marrë guximin që t’i llogarit votuesit si një tufë e pavetëdijshme, aparaturë mekanike votuese e cila do të rreshtohet pas “kushtrimit” të udhëheqësit të tufës.

