Pas ngjarjes tragjike që ndodhi më 25 tetor 2026, Komuna e Pejës ka publikuar një sqarim të rëndësishëm nga Qendra për Punë Sociale, duke adresuar raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm.
Ky raport, i cili shqyrton trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, thekson angazhimin e QPS-së dhe veprimet e ndërmarra për të mbrojtur fëmijën e prekur nga ngjarja.
Lexoni më poshtë sqarimin e plotë të Komunës:
Sqarim për opinionin publik lidhur me Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë
Pas shqyrtimit të raportit të inspektimit nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare, Qendra për Punë Sociale në Pejë ka ndjerë nevojën për të informuar publikun mbi angazhimin e saj dhe veprimet e ndërmarra për të trajtuar këtë rast të rëndë.
ANGAZHIMI DHE VEPRIMET PROFESIONALE TË QPS-SË:
Raporti i Inspektimit dokumenton një sërë veprimesh dhe intervenimesh të rëndësishme nga Qendra për Punë Sociale në Pejë, të cilat janë realizuar gjatë trajtimit të rastit.
Gjatë kësaj periudhe, punonjësit socialë kanë vepruar brenda kompetencave të tyre ligjore, duke u përballur me rrethana komplekse dhe të ndjeshme në aspektin familjar dhe social.
Ndër veprimet kryesore të ndërmarra nga QPS Pejë veçojmë:
1. Intervenimi fillestar dhe kujdestaria 24-orëshe:
QPS Pejë ka reaguar menjëherë ndaj kërkesës së Stacionit Policor, duke angazhuar punonjës social për kujdestarinë 24-orëshe. Gjatë këtij intervenimi, është realizuar një bisedë me fëmijën, duke vlerësuar rrethanat familjare dhe duke marrë parasysh moshën dhe vullnetin e tij.
2. Vlerësimet profesionale dhe vizitat në terren:
Gjatë menaxhimit të rastit, janë realizuar vizita në terren për të vlerësuar gjendjen socio-ekonomike dhe për të mbledhur informacione të rëndësishme nga prindërit dhe familjarët e fëmijës.
3. Bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe shëndetësore:
QPS ka kërkuar raporte nga shkolla dhe institucionet shëndetësore, të cilat kanë shërbyer si bazë për vlerësimin e gjendjes emocionale të fëmijës dhe për përcaktimin e hapave të mëtejshëm.
4. Respektimi i interesit dhe vullnetit të fëmijës:
Një aspekt i rëndësishëm ka qenë respektimi i së drejtës së fëmijës për t’u dëgjuar. QPS ka marrë parasysh vlerësimet e profesionistëve dhe ka rekomanduar përgatitje graduale psikologjike për proceset e mëtejshme.
5. Përfaqësimi profesional në procedurat gjyqësore:
QPS Pejë ka marrë pjesë në procedurat gjyqësore, duke dorëzuar raporte dhe vlerësime për nevojat e fëmijës, duke ofruar propozime për mbështetje psikologjike.
6. Reagimi emergjent pas ngjarjes tragjike:
Pas ngjarjes, QPS ka ndërmarrë veprime urgjente për të siguruar mbrojtjen e fëmijës, duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse për vendosjen e tij në një mjedis të sigurt.
7. Vazhdimësia e mbikëqyrjes dhe mbështetjes profesionale:
Pas vendosjes së fëmijës në një ambient të sigurt, QPS ka vazhduar të monitorojë gjendjen e tij shëndetësore dhe emocionale, duke kërkuar raporte të rregullta nga strehimorja.
Këto veprime dëshmojnë angazhimin e QPS-së për mbrojtjen e fëmijëve dhe përmbushjen e përgjegjësive institucionale.
GJETJET E INSPEKTORATIT DHE MASAT PËR PËRMIRËSIM:
Raporti i Inspektimit identifikon çështje që kërkojnë përmirësim në aspektin administrativ dhe procedural të QPS-së.
Ndër çështjet e evidentuara përfshihen:
Plotësimi i formularëve standard dhe respektimi i afateve për dorëzimin e dokumentacionit në institucionet gjyqësore.
Forcimi i kapaciteteve profesionale dhe qartësimi i përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse.
Qendra për Punë Sociale në Pejë do të trajtojë me seriozitet gjetjet dhe rekomandimet e Inspektoratit, duke ndërmarrë veprime për avancimin e procedurave dhe cilësisë së shërbimeve sociale.
QËNDRIMI DHE PËRKUSHTIMI INSTITUCIONAL:
QPS Pejë është e përkushtuar për mbrojtjen e kategorive të cenueshme dhe për ofrimin e shërbimeve profesionale me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve.
Profesionalizmi dhe interesi më i mirë i fëmijës mbeten parimet kryesore të punës sonë institucionale.
QENDRA PËR PUNË SOCIALE – PEJË.



