Dhjetëra të arrestuar, qindra shtëpi të bastisura dhe gjashtë persona të dënuar me burg të përjetshëm. Ky ishte bilansi i rastit të koduar me emrin “Monstra” nga Ministria e Punëve të Brendshme në vitin 2012. Katër nga të dënuarit po vuajnë dënimin, ndërsa dy të tjerë janë në arrati. Që të gjithë auzohen për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës. Ky rast edhe sot vazhdon të mbetet përplot paqartësi dhe turbulenca të cilat filluan që në ditët e para. Ministrja e Punëve të Brendshme e asaj kohe, Gordana Jankullovska, e shoqëruar edhe nga zëvendësi i saj nga radhët e BDI-së, Xhelal Bajrami, të dyshuarit i shpalli fajtorë ende pa filluar gjykimi, duke i etiketuar si terrorist dhe islamik radikal.
GORDANA JANKULLOVSKA 01.05.2012
“MPB i zbuloi kryersit e vrasjes në Liqenin e Smilkovës. Bëhet fjalë për një grup të personave nga Shkupi, ndjekës të radikalizmit islamik, të cilët sit ë tillë janë të rrezikshëm edhe për të krishterët edhe për muslimanët. Kundër pjestarëve të grupit do të ngritet padi penale për vepër penale terrorizëm”
Në mesin e atyre që Jankullovska i arrestoi dhe i shpalli terrorist ende pa vendim gjykate, ishin edhe katër vajza shqiptare dhe dhjetëra persona të tjerë. BDI tha se ka lejuar arrestimet që bëhen në bazë të dëshmive të siguruara dhe garantoi se asnjë shqiptarë nuk do të mbahet pa faj në burg.
BUJAR OSMANI, ZËDHËNËS I BDI-SË 06.05.2012
“Do ta keqpërdori një refren nga një këngë shqiptare. Pika më e dobët në moralin shqiptar është motra. U arrestuan 3 vajza të reja dhe një nënë. Ato u dërguan në gjykatë nga polic meshkuj. Ishte një paraqitje që nuk ka ndodh nga viti 1990 e këndej. Fillimisht mos të paragjykojmë motivet e një veprimi të tillë. Defilimi i të burgosurve para kamerave është një praktikë e papëlqyeshme për ne por që praktikohet në Maqedoni 10 vitet e fundit në mënyrë joselektive”.
BDI garanton para opinionit se nuk do të lejojmë që asnjë shqiptar të dënohet i pafajshëm. Këtë e kemi dëshmuar edhe në rastin e Sopotit kur e kemi kthyer 7 vjet pas, garantojmë shqiptarët me plot përgjegjësi se nuk do të lejojmë një montim.
Ju po flisni se nuk do të lejoni të shtrembërohet procesi, por Haki Haziri prej 5 ditësh nuk dihet se ku është.
Jo e dijmë, informacionet që i kemi janë se ai nuk është në asnjë institucion shtetëror, kontakton me familjen dhe me vullnetin e tij bëhet i paditur, atë do të duhet ju të qartësoni me familjarët. Informacionet tona se nuk është as në MPM, as në Gjykatë, është I liruar, kontakton me familjen dhe me vullnetin e tij është atje ku është”
Në mesin e të arrestuarve për terrorizëm ishte edhe 60-vjeçarja Feride Bilalli nga fshati Hotël i Kumanovës, ndaj të cilës u ngrit padi për armëmbajtje pa leje.
FERIDE BILALLI 22.10.2012
“I kam pas do tesha të UÇK-së kanë qenë të vllavit tem, ai ka vdekur. Tani edhe djali ka shkuar mas tre muajve te dajt, i ka marë teshat e dajës a vesh është fotografuar dhe kanë qenë fotografitë aty, i kanë marrë edhe i kanë gjetë do karikatorë, do fishekë të kqinj, të prishur”
Pas arrestimeve të këtilla në Shkup u mbajtën protesta kundër proceseve të montuara gjyqësore, protesta këto të cilat kaluan në përleshje me policinë. Por, pas këtyre reagimeve, jo vetëm që nuk u liruan të dënuarit e rastit Monstra, por me nga 2 vjet e 6 muaj burg u dënuan edhe gjashtë protestues.
Ky rast u riaktualizua nga kryeministri aktual, Zoran Zaev i cili gjatë publikimit të aferës së përgjimeve u pat zotuar se posedon biseda që zbardhin rastin Monstra dhe deklaroi se në burg mbahen persona të pafajshëm. Por këto biseda nuk u publikuan asnjëherë. Tani përgjegjësinë e hedh tek Prokuroria Speciale Publike, por as PSP nuk hapi lëndë për këtë rast. /Arben Zeqiri

