Lënda e rastit “Monstra” tani gjendet në Gjykatën e Apelit dhe gjatë ditës së sotshme ose më së voni deri nesër në orët e para të mëngjesit, do të transferohet në Gjykatën Themelore të Shkupit.
Prej aty do të dalë vendimi për lirim ose jo nga paraburgimi të të dënuarve për vrasjen e pesëfishtë në afrësi të Liqenit të Smillkovës. Nga Gjykata Supreme për Televizionin Shenja konfirmuan se lënda është dërguar në Apel që në mëngjes, ndërsa Apeli na siguroi se në momentin që lënda do të jetë përgatitur dhe dërguar në Gjykatën Penale, do jemi të informuar me kohë.
SAFET KADRIU, ZËDHËNËS I GJYKATËS SË APELIT
“Ne po e përgatisim lëndën. E kemi marrë prej Gjykatës Supreme. Besoj se sot gjatë ditës ose më së voni deri nesër në mëngjes do e dërgojmë në Gjykatën Penale”
Dy ditë më parë , Gjykata Supreme vlerësoi që rasti “Monstra” meriton rigjykim duke u bazuar në kërkesën e prokurores, Liljana Spasovska dhe të avokatëve mbrojtës që në seancat e hapura të Gykatës Supreme, shprehën zhgënjimin nga një vendim gjyqësor në ajër.
Tani çështja është nëse Këshilli i Gjykatës Penale do të vendosë që të dënuarit të lirohen nga paraburgimi dhe të mbrohen në liri në një proces të përsëritur gjyqësor, pasi edhe ashtu qëmoti kanë përmbushur dy vjet paraburgim, që është maksimumi i lejuar me Ligjin për Procedurë Penale.
Këshilli Penal pasi të marrë dhe të shqyrtojë lëndën, ka 48 orë për të sjellë vendim pro ose kundër lirimit nga paraburgimi.
Për rastin “Monstra”, gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm, tre prej tyre janë në burg që nga 1 maji i vitit 2012, njëri është në burg që nga viti 2013, ndërsa dy të tjerë gjenden në arrati. Ata u dënuan për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas në afërsi të Liqenit të Smillkovës që është kualifikuar si vepër terroriste, një prej veprave më të rënda në Kodin Penal dhe për këtë po vuajnë dënimin me burg të përjetshëm. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

