Dy vjet frikë dhe pasiguri. Motive patriotike e motive financiare. Përjetime të përziera në procesin gjyqësor për rastin e “Kumanovës”, raporton SHENJA.
Ngjarja ndodhi më 9 maj të vitit 2015, por afro pesë muaj më pas, prokuroria e zgjeroi hetimin dhe kapi edhe shtatë të dyshuar të tjerë për ndihmë logjistike të grupit. Personat e kapur ishin kryesisht nga fshatrat e pjesës së Kumanovës. Kishte prej moshës 24 vjeç e deri në 75 vjeç. Nga materialet e filmuara nga policia, duken disa harta të Shqipërisë Etnike dhe hartë lëvizjeve për Maqedoni, me një itinerar të shkuar, një mori armatimi dhe municioni. Por dukeshin edhe uniforma dhe fotografi të të kapurve kur kanë qenë në luftën e vitit 2001.
Vlerësimi i aktakuzës ndodhi në fund të vitit 2015 kur për herë të parë, grupi prej 37 të akuzuarve u mblodh në sallën e vogël të Gjykatës Penale. Shqyrtimi kryesor filloi më10 shkurt të vitit 2016.
Seancat e para gjyqësore ishin thuajse të heshtura, por në fjalët hyrëse që kishin mundësi ti japin të arrestuarit, u denoncua likuidimi i Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt, por edhe disa pjesëtarëve të grupit, pas arrestimit.
Deklaratë e Rufki Doganit 11.02.2016,
“Përse u vranë Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj pas dorëzimit në stacion policor. Begu dhe Mirsadi kanë qenë në polici të gjallë së bashku me Valon Kabashin, Sami Kastriotin dhe një tjetër që nuk më kujtohet emri. Këto janë vrarë pas arrestimit. Kërkojmë zbardhjen e rastit me ndihmë të ndërkombëtarëve, SHBA-ve”
Por nuk mungonin as denoncimet për përfshirjen e politikanëve shqiptar dhe agjentëve të shërbimit sekret në inskenimin e rastit.
23.02.2017, deklaratë e Andi Krasniqit (Komandant Malisheva)
“Ky rast është kryekëput politik, akuzat për terrorizëm që na mbarten neve duhet t’ua drejtoni Qeverisë suaj)
07.03.2017, deklaratë e Fadil Elshanit
“Neve na ka sjellë dikush këtu, nuk kemi ardhur vetë”
Në gjykatë u thanë disa emra, që u kërkuan edhe si dëshmitar, por gjykatësit Verka Petrovska dhe Goran Boshevski me automatizëm i refuzuan propozimet për ti sjellë funksionarët në gjykatë me arsyetimin se janë të vonuara. Por për të qenë paqartësia dhe dyshimi për anshmëri më e madhe, në procesin gjyqësor të ndarë për Sulejman Osmanin, dëshmitarët u propozuan me kohë por gjykata i refuzoi me arsyetimin se nuk mund të ndryshojnë gjendjen faktike.
Përgjigjeve nga gjykata dhe të akuzuarit iu shpëtuan Ali Ahmeti, Artan Grubi, Sadulla Duraku, Gordana Jankullovska, Sasho Mijallkov, agjenti Shenasi Memedi dhe disa të tjerë që janë në pozita të larta shtetërore. Pjesëtarët e grupit thanë se ata janë transportuar nga fshatrat e Kumanovës deri në qytetin e Kumanovës me makinë të ndihmës së shpejt që të mos vërehen, dhe kjo ishte arsye për ta kërkuar si dëshmitar edhe drejtorin e spitalit të Kumanovës, por gjykata e refuzoi edhe këtë kërkesë.
Meqë asnjë prej dëshmitarëve nuk u pranua, mbetën shumë paraqartësi dhe akuza në ajër. Shenasi Memedin gjykata pranoi ta thirrin, por ishte e qartë që në fillim se ai do të thirret në fshehtësinë e profesionit dhe nuk do të vijë të dëshmojë, dhe ashtu edhe ndodhi.
23.02.2017, deklaratë e Andi Krasniqit(Komandant Malisheva)
“Avokati Mefail Arsllani: A ju ka treguar Mirsad Ndrecaj se takimet e tij me pjesëtarët e shërbimit sekret janë të filmuara?
Andi Krasniqi: Po.
Avokati Mefail Arsllani: A ju ka treguar se kush i ka ato incizime?
Andi Krasniqi: Jo, nuk e di. Por e di që ekzistojnë. 3 orë e 17 minuta zgjat inçizimi. Më kanë ngelur në kokë këto numra. Në takim Mirsadi më ka thënë se është biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për vrasjen e Harun Aliut e të tjerë. Mirsadi më ka thënë se edhe më herët është takuar me Shenasi Memedin”
Dëshmitarët e prokurorisë ishin dhjetëra policë, banor të lagjes dhe dëshmitarë të rastit.
Shejnaze Fejzullahu, dëshmitare nga Lagja e Trimave(23.02.2017)
“Më pyetën a i ke parë, iu thash jo…Katasftrofë, pak të ndodhë diçka neve frikësohemi se kush do të na hyjë në shtëpi…U frikësova, me trauma.. më hypi edhe shtypja. U tregova se mi kanë rrahur burrin, fëmijët, të gjithë. Sa kanë mundur na kanë sharë, këtë më ngeli djegë tua them në gjykatë. Përse nuk e thatë? Frikësohesha”
Gjykata dhe Prokuroria shpesh në gjykatë flisnin si të koordinuar. I kishin thuajse kualifikimet dhe fjalimet në një vijë. Pyetjet, provat dhe kërkesat e prokurorisë miratoheshin me automatizëm, ndërsa palës mbrojtëse thuajse nuk iu pranua asgjë që mund të jepjte kahje tjetër.
Afro dy vite proces gjyqësor por kanë mbetur shumë enigma. Nuk u qartësuan organizatorët e rastit. Nuk u tregua si grupi ka hyrë pa u vërejtur në Maqedoni dhe përse policia nuk e ka ndalur grupin kur ka patur mundësi, pasi publikisht u tregua se grupi ka qenë nën masa të veçanta hetimi gjatë tërë kohës.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

