Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me 25 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, i dyshuar për vrasjen e rëndë të ish-bashkëshortes së tij.
Aliu është dënuar 22 vjet për vrasje, 1 për armëmbajtje pa leje dhe 2 vite për kanosje.
Rasti lidhet me ngjarjen tragjike që ndodhi më 12 prill 2024, e cila tronditi vendin dhe veçanërisht familjen Cokli nga Ferizaji.
Sipas aktakuzës, Aliu, 36 vjeç, vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, Eronën, brenda zyrës së punëtores sociale gjatë një takimi që po zhvillohej në ambientet e institucioneve sociale.
Gjatë incidentit, viktima ishte e shoqëruar nga vëllai 15-vjeçar dhe punëtorja sociale. Sipas deklarimeve të të dyshuarit, gjatë një fjalosjeje me ish-bashkëshorten, ai nxori armën nga brezi dhe qëlloi në drejtim të saj dhe të vëllait të saj. Si pasojë, Aliu vrau ish-bashkëshorten dhe plagosi rëndë djalin 15-vjeçar.



