Prokuroria Speciale propozoi bombën e ish opozitës në të cilën dëgjohen Gordana Jankullovska dhe Sasho Mijallkov duke folur për Sopotin si një rast të montuar pa prova. Audio-incizimin por edhe transkriptet nga biseda e plotë mes Jankullovskës dhe Mijallkovit, PSP ia dha gjykatës në fletë dhe në CD.
Por përveç kësaj, prokurori Burim Rrustemi propozoi edhe gjashtë agjentë të DSK-së së që janë marrë me rastin si dëshmitar. Por prezenca e tyre do të shërbejë edhe për të treguar se si e kanë intervistuar dëshmitarin kyç, Ramdan Bajrami i cili doli publikisht dhe tha se deklaratën ia kanë marrë me dhunë. Robert Ivanovski, Boban Stojanovski, Ilija Smilevski, Mile Vellkovski, Marjan Nikollovski dhe Mile Andonovski janë agjentët që do të thirren si dëshmitar.
VULLNET PAÇUKU, AVOKAT
“Këta janë persona që kanë qenë të punësuar në Agjencinë e Zbulimit dhe ata kanë qenë të përfshirë në mënyrë aktive në procedurën parahetimore. Sipas pretendimeve të PSP-së ata kanë njohuri për mbarëvajtjen e procesit…”
A janë këta personat që e kanë marrë në pyetje Ramadan Bajramin?
Ne nuk kemi asi lloj informacionesh. Pasi të thirren dhe të japin dëshmi do ta mësojmë këtë rrethanë”
NASER RAUFI, AVOKAT
“Ne si mbrojtje kishim shpresë se do të propozohen dëshmitarët më me rëndësi për këtë lëndë. Gordana Jankullovska dhe Sasho Mijallkov. Jo vetëm bisedat por duhet të jepen edhe shpjegime të bisedave që për neve do të jenë prova të rëndësishme”
Dëshmitari kyç i këtij procesi Ramadan Bajrami nuk është i sigurt nëse agjentët e propozuar si dëshmitar, ka mundësi t’i njohë në gjykatë, por rikthen edhe njëherë skenat kur është torturuar për deklaratën.
RAMADAN BAJRAMI, DËSHMITAR
“Kanë qenë nja 6,7,8 persona. Tash sigurisht janë ndërruar. Me i pa ndoshta më kujtohen por kështu si njoh. Në mënyrë brutale…Me dhunë fizike me tanat…Faktikisht jam kidnapu prej policisë, në stacion policor të Kumanovës. Unë nuk jam ndaluar si person normal. Më kanë goditur me grusht pas qafe ose me revole. Thesin në kokë dhe më kanë dërguar në mal në një shtëpi. Edhe aty dihet se çfarë ka ndodhur”
Si propozim i Prokurorisë Speciale erdhi edhe analiza neuropsikiatrike e bërë nga dy mjekë të angazhuar nga Specialja, për t’u dëshmur dëmi dhe traumat që i janë shkaktuar nga presioni dhe dhuna për të dhënë deklaratë të rrejshme. Seanca e ardhshme do jetë më 23 nëntor.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

