Gazetari Rami Mislimi, ka kritikuar partinë e Ali Ahmeti BDI, duke e cilësuar si të dobët në opozitë.
Sipas Mislimit, BDI për dy vite në opozitë nuk ka treguar seriozitetin e pritur në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve.
“Për dy vite në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI nuk ka treguar seriozitetin e pritur në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve. Gjatë kësaj periudhe, duket sikur është rehatuar dhe po pret që populli të vetëaktivizohet dhe ta sjellë BDI-në në pushtet”, ka shkruar Mislimi.
Ai më tej thekson se shumë ish-funksionarë të BDI-së kanë mbyllur llogaritë e tyre në Facebook dhe nuk po tregojnë interesim për çështjet që prekin shqiptarët.
“Për dy vite, shumë ish-funksionarë të BDI-së kanë mbyllur llogaritë e tyre në Facebook, ndërsa disa të tjerë i kanë kthyer ato vetëm në hapësira për urime familjare”, shprehet Mislimi, duke shtuar se ata që përfituan më së shumti nga pushteti i BDI-së sot janë zhdukur nga skena publike dhe kanë heshtur, pa thënë asnjë fjalë për qeverinë VMRO–VLEN, as për mirë e as për keq.
Në fund, Mislimi shtron disa pyetje për udhëheqësinë e BDI-së:
Pse është heshtur BDI?
A mund të bëhet BDI një parti më revolucionare dhe të mbrojë më fuqishëm shqiptarët nga ky pushtet?
Apo BDI ka marrëveshje me VMRO-në?
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim edhe në zgjedhjet lokale nuk ka treguar fuqi të mirëfilltë opozitare, por ka funksionuar më tepër si një parti pushteti, nuk i ka mbrojtur sa duhet çështjet me interes kombëtar dhe qytetar, duke lënë përshtypjen se ende vepron me logjikën e kohës kur ishte në qeveri, e jo si një opozitë aktive dhe sfiduese.


