“Dikush mund të pyesë se cili vend ka zyrat qeveritare më të zbukuruara: Franca, Rusia apo Kina”.
Kështu e nis portretin e saj për Edi Ramën, gazeta e njohur britanike, “The Guardian”.
“Asnjë lider nuk ka një zyrë si të Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë. Muret e zyrës së tij në Tiranë janë të mbushura me dhjetëra vizatime, me ngjyra, abstrakte”, shkruan gazeta.
“Nëse arti nuk e bën dot politikën më të arsyeshme, politika me marrëzinë e saj ndonjëherë mund të bëjë artin më të mirë”, shprehet Rama.
Sipas gazetës, Rama nuk është një politikan me prirje artistike, por një artist në pushtet.
Në qendër të shkrimit është ekspozita e Ramës në Nju Jork, në galerinë “Marian Goodman”, një nga më të njohurat në botë.
“Është i pari kryetar qeverie në detyrë që siguron një ekspozitë në një prej galerive më të njohura në botë: edhe George W Bush, që nisi të pikturojë pasi la presidencën, nuk shkoi më larg se një ekspozitë në librarinë e tij në Dallas”.
Gazeta nuk lë pa përmendur aksionin e Ramës për të lyer me ngjyra të ndezura godinat në Tiranë kur ishte kryebashkiak.
“Ngjyrat e qytetit nuk ishin art për mua. Ishte një aksion politik me ngjyra. Për shkak se nuk kishim shumë para për të bërë projekte të mëdha ndërtimore. Kur u bëra kryebashkiak, në qytet funksiononin vetëm 78 drita rrugësh. Imagjino të pyesësh njerëzit se çfarë ngjyre e do godinën tënde. Do të thonin: Q… Ishte mënyra më e hollë për të thënë se nuk u intereson kjo”, thotë Rama, duke shtuar se aksioni dha frytet duke rivitalizuar qytetin.
Rama nisi të vizatonte kur ishte në Ministrinë e Kulturës.
“Nuk mund të gjeja një mënyrë për të mbijetuar në këto takime të gjata. Vizatimi më ndihmonte për të dëgjuar. Vetëm më vonë kam lexuar studime që tregojnë se vizatimi përmirëson përqendrimin dhe ul stresin,” thotë Rama.
Sipas gazetës, Rama akoma punon në zyrë.
“Njeriu më i fuqishëm vizaton në fletë A4,” shkruan gazeta.
“Shqipëria është akoma e varfër. Korrupsioni mbetet endemik, edhe pse Rama ka bërë progres. Por Tirana të paktën është në lëvizje. Të rinjtë pinë birrë në hijen e godinave me ngjyra dhe sheshi i madh i qytetit po kthehet në idil për këmbësorët. Nën udhëheqjen e Ramës. Shqipëria është duke trokitur në derën e BE- shumë vende duan të bashkohen, pavarësisht hijes së Brexit- edhe pse kohët e fundit negociatat janë ngadalësuar”.
“Ne shpresojmë që të fillojnë negociatat për martesë dhe shpresojmë që BE-ja të jetë atje, kur ne të jemi gati për t’u bërë nuse”, shprehet kryeministri.
“Mendoj se politika është beteja e jetës së përditshme. Dhe arti është si një lutje”.