Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, lidhur me pretendimet e këtij të fundit për shpenzimet në kuadër të kontratës së ndriçimit inteligjent në kryeqytet.
Përmes një reagimi publik, Rama e ka akuzuar Kërcelin për keqinformim të opinionit, duke pretenduar se deputeti po e paraqet çmimin e një shërbimi të plotë si çmim të vetëm të një shiriti.
Sipas kryetarit të Prishtinës, çmimi prej 8.50 eurosh për metër përfshin jo vetëm furnizimin me material, por edhe transportin, punën e punonjësve, vendosjen e shiritit, garancinë dhe mirëmbajtjen për dhjetë vjet, si dhe TVSH-në.
“8.50 euro për metër përfshijnë furnizimin me material, transportin, angazhimin dhe punën e punonjësve të kompanisë, shtrirjen dhe vendosjen e shiritit në kanalin përkatës nga punonjësit kompetentë, garancinë për 10 vjet, sipas kushteve të kontratës, mirëmbajtjen për 10 vjet, sipas nevojës, pa kosto shtesë, si dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se paraqitja e këtyre shërbimeve vetëm si çmim i një shiriti është veprim i ulët.
Rama ka theksuar gjithashtu se procedura në fjalë është trajtuar nga disa institucione dhe mekanizma mbikëqyrës, duke përmendur Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), auditorët e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe hetuesinë.
“Nëse Ilir Kërceli mendon që është më i dijshëm se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, le të na kallëzojë!”, ka deklaruar ai.
Tutje, kryetari i Prishtinës i ka sugjeruar deputetit të LVV-së që të informohet më mirë për përmbajtjen e kontratës para se të dalë në publik me deklarata për këtë çështje.
Rama sqaron funksionin e shiritit nëntokësor
Në reagimin e tij, Rama është ndalur edhe te funksioni i shiritit, duke kundërshtuar pretendimin se ai shërben për kufizimin e zonës së punimeve.
Sipas tij, bëhet fjalë për një shirit nëntokësor që paralajmëron praninë e kabllove elektrike, në mënyrë që ato të mos dëmtohen gjatë punimeve të ardhshme nëntokësore.
Ai ka sqaruar se ky shirit ka për qëllim të paralajmërojë punëtorët e kompanive dhe ndërmarrjeve të ndryshme, përfshirë Ujësjellësin, KEDS-in dhe Termokosin, për praninë e instalimeve elektrike gjatë gërmimeve.
“Ai shirit nuk shërben për ta kufizuar zonën e punimeve. Është shirit nëntokësor që paralajmëron praninë e kabllove elektrike, për të shmangur dëmtimin e tyre dhe mos me i rreziku punëtorët gjatë gërmimeve në të ardhmen nga Ujësjellësi, KEDS-i, Termokosi ose cilado kompani apo ndërmarrje tjetër”, ka shkruar Rama.
Ndërkohë, ai ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugën ligjore për çdo deklaratë që e konsideron shpifje ndaj tij.
“E di që pas deklaratave të mia për Kryeministrin do të ketë invazion sulmesh ndaj meje, por më lejoni t’ju rikujtoj se do të kujdesem që për secilën shpifje ta ndjek rrugën ligjore”, ka theksuar kryetari i Prishtinës.
Në fund, Rama i është drejtuar drejtpërdrejt deputetit të LVV-së, duke i kërkuar që ta lexojë dhe ta kuptojë kontratën para se të dalë me deklarata para qytetarëve.
“Ilir, për herën tjetër, lexoje kontratën. Kuptoje. Pastaj dil para qytetarëve”, ka përfunduar Rama.
Ndryshe, Kërceli kishte ngritur dyshime për kontratën e ndriçimit inteligjent, duke kërkuar sqarime edhe për destinimin e shtyllave të vjetra dhe mundësinë e nënshkrimit të një aneks-kontrate prej rreth tre milionë eurosh. Ai kishte paralajmëruar gjithashtu se do të analizojë kontratën për sheshin “Gjergj Bush”, ku pretendoi se janë paraparë 18 mijë euro për zhvendosjen dhe kthimin e bustit të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Postimi i tij i plotë:
SQARIM PËR SHOW-N E RADHËS POLITIK ME “SHIRIT”
Deputeti i VETËVENDOSJES po e mashtron opinionin kur e paraqet çmimin e një SHËRBIMI si çmim të një SHIRITI.
8.50 euro për metër përfshijnë:
* Furnizimin me material.
* Transportin.
* Angazhimin dhe punën e punonjësve të kompanisë.
* Shtrirjen dhe vendosjen e shiritit në kanalin përkatës nga punonjësit kompetentë.
* Garancinë për 10 vjet, sipas kushteve të kontratës.
* Mirëmbajtjen për 10 vjet, sipas nevojës, pa kosto shtesë.
* Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Krejt këto shërbime me i paraqitë vetëm si çmim të një “shiriti” është veprim i ulët.
Për më tepër, kjo procedurë është trajtuar nga:
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).
Auditorët e brendshëm.
Auditorët e jashtëm.
Hetuesia.
Nëse Ilir Kërçeli mendon që është më i dijshëm se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, le t’na kallxon!
Për më tepër, i propozoj që, kur del në publik për me bo shfaqje televizive, t’i marrë informacionet bazë.
Ai shirit nuk shërben për ta kufizuar zonën e punimeve.
Është shirit nëntokësor që paralajmëron praninë e kabllove elektrike, për të shmangur dëmtimin e tyre dhe mos me i rreziku puntorët gjatë gërmimeve në të ardhmen nga:
Ujësjellësi,
KEDS-i,
Termokosi ose cilado kompani apo ndërmarrje tjetër.
E di që pas deklaratave të mia për Kryeministrin do të ketë invazion sulmesh ndaj meje, por më lejoni t’ju rikujtoj se do të kujdesem që për secilën shpifje ta ndjek rrugën ligjore.
Ilir, për herën tjetër, lexoje kontratën. Kuptoje. Pastaj dil para qytetarëve.



