Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka hapur hetim ndaj katër personave të dyshuar për bashkim kriminel, shtrëngim dhe pastrim parash. Për tre të dyshuar është kërkuar paraburgim, ndërsa organizatori dhe anëtarët e grupit për vite me radhë kanë përdorur kërcënime, kontrata noteriale të rreme dhe llogari bankare të viktimave për fshehjen e parave.
Prokuroria ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për tre persona, ndërsa i dyshuari i katërt ndodhet prej një kohe jashtë vendit.
Sipas organeve hetimore, grupin e ka formuar një kumanovar dhe ai ka funksionuar nga viti 2021. Anëtarët e grupit kanë shfrytëzuar varësinë financiare të qytetarëve që kishin marrë më parë kredi, pas së cilës me kërcënime serioze u kanë shtrënguar shuma të konsiderueshme parash.
Në një nga rastet e evidencuara, e dëmtuara kishte kërkuar një hua prej 4.000 eurosh, duke pranuar një marrëveshje gojore për t’i kthyer paratë brenda një muaji me kamatë prej 2.500 eurosh. Edhe pse e gjithë shuma ishte paguar, organizatori kërkoi që përmes llogarisë së saj transaksionale të lëshonte në qarkullim para të fituara me krim. Pas refuzimit të saj, të dyshuarit me kërcënime e detyruan të vinte automjetin e saj si peng, hartuan një kontratë të rreme blerje-shitjeje dhe një hua fiktive prej 1.000.000 denarësh me firmë të falsifikuar, e më pas dokumentet i vërtetuan te noteri.
Me hetimin është përfshirë edhe noteri që ka vërtetuar dokumentet e kontestuara, për të cilin ekziston dyshimi për punë të pakujdesshme në shërbim. Për të, te Gjykata Penale është dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit. Mbi bazën e dokumentacionit fiktiv, pronësia e automobilít është transferuar te njëri nga anëtarët e grupit, ndërsa viktima është detyruar të paguajë edhe borxhin e pretenduar.
Një i dëmtuar i dytë në vitin 2021 kishte marrë hua dy herë nga 180.000 denarë për mjekimin e gruas së tij. Edhe pse mjetet ishin kthyer plotësisht, grupi vazhdoi të kërkonte kamata shtesë. Të dyshuarit më pas e detyruan të lëshonte llogarinë e tij bankare, përmes së cilës transferonin shuma të mëdha nga shtrëngimet nën maskën e huave formale dhe i tërhiqnin në para të gatshme.



