21 Shtator 2018 / 14:13
Qyteti i Tetovës po “ngulfatet” nga mbeturinat e papastruara prej ditësh. Kjo ka bërë që një numër i madh i banorëve të reagojnë ashpër. Ata druajnë për shëndetin e tyre sidomos të fëmijëve për shkak të erës së keqe. Mbeturinat e shumta janë shndërruar në pikë strehimi e shumë qenve endacakë.
“Më duket se po jetojmë në kohë të çmendura. Është shekulli 21 kurse ne po përballemi me male mbeturinash, para shpive dhe para lagjeve tona. Shohim një pa aftësi totale nga organet komunale për tu përballë me këtë problem”.
“Katastrofë. Duhet të marrin masa ta largojnë nga këtu. Ata ndoshta e bartin, por edhe prej atje nuk e largojnë ky është problemi”.
“Si pastrojnë aspak, as pastrim asgjë s’ka”.
“Qentë mblidhen i trembin edhe fëmijët, edhe mbetje bëhen shumë. I lejnë me javë të rrinë këtu. Isha para ca ditësh tek Teuta Arifi i thash dërgoni ti pastrojnë por nuk vinë”.
Nga Ndërmarrja Publike komunale fajin e hedhin tek Drislla, e cila shkaku i një defekti nuk i ka bartur mbeturinat.
Ndërmarrja që bart mbetjet nga Tetova në Shkup ka pasur probleme para ca ditësh, por ndërmarrja jonë u detyrua që të bëj deponimin e mbetje këtu tek ngarkim shkarkimi. Por dje edhe ne kemi pasur defekt teknik që shpresojmë shpejt ta rregullojmë, kjo është përditshmëri e jona, ne kemi defekte shpesh dhe shpejt besojmë ta rregullojmë problemin e mbetjeve që janë grumbulluar në këtë vend – u shpreh Nazif Jashari, NPK “Tetova”.
Mbeturinat e shumta paraqesin problem edhe në komunat rurale. Fshatrat e komunave rreth Tetovës, gjithnjë e më tepër po “zhyten” në mbeturina si pasojë e mos largimit në kohë të tyre.
Bashkim Sulejmani


