26 October
Javën që vjen, në seancën e radhës të Qeverisë pritet të debatohet për “Ditën e drurit”, aksionin ekologjik që nisi zbatimin e tij nga viti 2008. Në këtë seancë do të merret vendim nëse kjo ditë do të shfuqizohet ose do të vazhdojë të shënohet ashtu siç është shënuar deri më tani si ditë jo e zakonshme pune ose me orar të shkurtuar nëpër institucionet shtetërore. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski konfirmoi se diskutimi do të hapet në Qeveri por përgjigje më të saktë duhet të japin nga Ministria e Bujqësisë. Nga kjo e fundit thanë për Alsat se pyllëzimi në Maqedoni është i siguruar me ligj, ndërsa për shfuqizimin e kësaj dite, vendimi pritet të jepet nga Qeveria.
Pyllëzimi në Republikën e Maqedonisë do të vazhdojë në bazë të dispozitave ligjore, ndërkaq në seancën e radhës të Qeverisë do të diskutohet se a duhet apo jo të shfuqizohet aksioni “Dita e Drurit”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Bujqësisë, Sonja Jankovska.
“Dita e drurit” ishte nismë e operistit maqedonas Boris Trajanov, pas çka edhe u formua shoqata qytetare “Dita e drurit, mbille të ardhmen tënde”. Realizimi i këtij aksioni ekologjik mbështetje të plotë mori nga ish Qeveria e Gruevskit për të cilën çdo vit ndaheshin miliona euro por që asnjëherë nuk u publikuan të dhëna të sakta se sa fidane të reja jaën mbjellur dhe nëse rezultatet ishin të suksesshme.
Gjatë viteve kur u zbatua ky aksion, janë shpenzuar mbi 7.7 milionë euro në total ndërsa në shumë rajone vetëm 10 % të fidaneve kanë mbijetuar, pasi siç thuhej u mbollën fidane që nuk janë vendore e më pas nuk kishte përkujdesje të duhur ndaj tyre. Lidhur me këtë aksion, vërejtje të shumta erdhën edhe nga ambientalistët të cilët akuzonin Qeverinë e atëhershme se përmes këtij aksioni ekologjik u bën larje parash ndërsa rezultatet nuk u panë askund.
Melihate Rustemi

