Është pranuar kërkesa e VMRO-DPMNE-së, që Ljubomir Joveski të jetë pjesë e debatit në miratimin e Ligjit të Prokurorisë Publike. Kryeprokurori Joveski do të jetë pjesë e debatit të martën, përcjell TV21.
Në debatin në të cilin përpos grupeve të punës nga partitë politike do të jetë tashmë edhe kryeprokurori do të prezantohen pikëpamjet e ekspertëve për ligjin, për të cilin qeveria dhe opozita nuk mund të pajtohen assesi.
Takimi i fundit mes opozitës dhe pozitës dështoi për arsye se opozitarja VMRO-DPMNE kërkonte që në takim të jetë edhe Joveski.
Lideri i opozitës, Hristian Mickoski dje pohoi se nuk kanë partner serioz në negociatat për ligjin në fjalë. Sipas tij, ata janë konfuzë dhe të humbur në tërë situatën, për shkak se kanë frikë nga përgjegjësia që do të vijojë pas 12 prillit për padrejtësitë dhe krimin e bërë gjatë periudhës së kaluar. Mickoski shton se oponenti i tij, shpëtimin e kërkon përmes këtij ligji.
Kurse nga ana tjetër, kreu i LSDM-së, dje u shpreh i bindur se Ligji i PP nuk do të sillet pa deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ai pohoi se nuk do të lejojë prolongim dhe blerje të kohës. Sipas tij, Ligji duhet të votohet deri më datën 11. Zaevi tha se do të shohim në fund nëse do të kemi 2/3.



