Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare po reflektohet sërish në pikat e karburantit në rajon, por Shqipëria vijon të mbajë vendin e parë për çmimin më të lartë të naftës. Ndërkohë që disa vende fqinje kanë riaktivizuar masa fiskale për të zbutur ndikimin te konsumatorët, në Shqipëri një litër naftë ka kaluar sërish kufirin e 2 eurove.
Çmimet në bursat ndërkombëtare u rritën ditët e fundit, të nxitura nga përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe shqetësimet për furnizimet përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas Reuters. Nafta Brent u ngjit pranë 85 dollarëve për fuçi, ndërsa WTI rreth 80 dollarëve, niveli më i lartë në afro një muaj.
Ky zhvillim është reflektuar edhe në tregun shqiptar. Në pikat e karburantit, çmimi i naftës ka arritur në 196-198 lekë për litër, duke kaluar lehtësisht pragun e 2 eurove. Operatorët e lidhin rritjen me shtrenjtimin e treguesit Platts (CIF), i cili sipas të dhënave të Doganave është ngjitur në 1,203 dollarë për ton, nga rreth 952 dollarë në fund të qershorit. Kësaj kostoje i shtohet edhe një premio prej rreth 30 dollarësh për ton.
Megjithatë, përtej zhvillimeve në bursa, Shqipëria vijon të ketë çmimin më të lartë të naftës në Ballkan, kryesisht për shkak të barrës fiskale. Rreth gjysma e çmimit final përbëhet nga taksat. Taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër, akciza fikse prej 39.4 lekësh, taksa e karbonit dhe mënyra e llogaritjes së TVSH-së e bëjnë karburantin në Shqipëri dukshëm më të shtrenjtë sesa në vendet fqinje.
Serbia rikthen ndërhyrjen e shtetit
Ndryshe nga Shqipëria, Serbia ka vendosur të rikthejë masat mbështetëse për të kufizuar efektin e rritjes së çmimeve ndërkombëtare.
Qeveria serbe ka vendosur një tavan prej 220 dinarësh (rreth 1.87 euro) për litrin e eurodieselit dhe 196 dinarësh (rreth 1.67 euro) për benzinën. Paralelisht, autoritetet kanë zgjatur ndalimin e përkohshëm të eksporteve të naftës dhe nënprodukteve deri në fund të korrikut, ndërsa kanë thelluar uljen e akcizës mbi karburantet në 10%, nga 5% që ishte më parë. Këto masa kanë bërë që çmimet në Serbi të mbeten më të ulëta se në Shqipëri, pavarësisht rritjes në tregjet ndërkombëtare.
Rajoni mbetet dukshëm më i lirë
Edhe vendet e tjera të Ballkanit vijojnë të kenë çmime më të ulëta të karburanteve. Në Maqedoninë e Veriut nafta tregtohet rreth 1.42 euro për litër, në Mal të Zi nga 1.58 deri në 1.68 euro, në Kosovë 1.56 euro, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë rreth 1.40 euro për litër.
Në shumicën e këtyre vendeve, qeveritë kanë ndërhyrë gjatë krizave të fundit me ulje të akcizave, lehtësime fiskale ose mekanizma të kontrollit të çmimeve, duke amortizuar ndikimin e shtrenjtimit të naftës në bursat ndërkombëtare.
Shqipëria me reagimin më të kufizuar
Në Shqipëri, Bordi i Transparencës u riaktivizua në fund të marsit, por u mbyll në 19 qershor, ndërsa qeveria argumentoi se rënia e çmimeve në bursa e kishte përmbushur misionin e tij. Kompanitë importuese kundërshtuan metodologjinë e përllogaritjes së çmimeve, duke paralajmëruar edhe ndjekje ligjore, pasi sipas tyre formula nuk reflekton kostot reale të importit me kontrata CIF.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka zbatuar më pak masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve. Ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut përdorën ulje taksash, reduktime të akcizave apo kufizime të çmimeve, në Shqipëri ndërhyrja fiskale mbeti e kufizuar dhe nuk solli ulje të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët.
Si rezultat, edhe në valën e fundit të shtrenjtimit, Shqipëria vijon të mbetet vendi me naftën më të shtrenjtë në rajon, me një diferencë që në disa raste arrin deri në 40 lekë për litër krahasuar me vendet fqinje.



