Qeveria ende nuk ka diskutuar në lidhje me emrin e Prokurorit të ri Publik, pas shkarkimit të Marko Zvërlevskit. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, duke shtuar se opinioni do të njoftohet me kohë në lidhje me emrin e prokurorit të ri republikan.
MILE BOSHNJAKOVSKI, ZËDHËNËS I QEVERISË
“Propozimi për kryeprokurorë ende nuk është vendosur në rend dite të mbledhjeve qeveritare. Sigurisht që do të propozojmë një emër dhe kur kjo gjë do të ndodhë, do të jeni të informuar me kohë”
Kujtojmë se Këshilli i Prokurorëve ka dhënë mendim pozitiv për dy nga gjithsejtë 23 kandidatet që u paraqitën në konkursin për Prokuror Shtetëror Publik. Përparësi i është dhënë anëtarit aktual të Këshillit të prokurorëve Lubomir Jovevski si dhe Elena Andreevskës, profesoreshë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Propozimet në fjalë në formë të shkruar janë dërguar në Qeveri. Sipas të gjitha pritshmërive Prokurori i ri Publik do të jetë Lubomir Joveski, pasi është kuadër i prokurorisë, dhe ka përvojë të mjaftueshme. Edhe Elena Andreeva ka karrierë të shkëlqyer, duke u fokusuar më shumë në sferën akademike, duke mos u ndërlidhur drejtpërdrejtë me gjyqësorin apo prokurorinë. Kjo shihet edhe si pengesë për Andreevan që të arrijnë deri tek ulësja e prokurorit.
Megjithatë, në rast se Qeveria e propozon dhe Kuvendi e voton atë, Andreeva do të jetë kryeprokurorja e parë femër. Që nga viti 1994 deri më sot funksionin e prokurorit publik në Maqedoni e kanë kryer 16 prokurorë. Prokuror publik I Republikës së Maqedonisë është funksionari I emëruar nga Kuvendi i Maqedonisë, me propozim të Qeverisë, me mandat 6-vjeçar dhe të drejtë për t’u riemëruar.
Për punën e tij dhe punën e Prokurorisë Publike ai përgjigjet para Këshillit të Prokurorëve. Enis Murtezi /SHENJA/

