Mbrojtja dhe prokuroria në rastin Fortesa2 e dhanë fjalën përfundimtare. Prokuroria Speciale kërkoi nga gjykata që në momentin që të ekstradohet nga Greqia Goran Grujovski të burgoset menjëherë pasi është ideator dhe urdhërues i shkatërrimit të provave ku figuronte përgjimi i paligjshëm, dhe ti jepet dënimi maksimal. Për të punësuarat në DSK që akuzohen për shkatërrimin e materialeve, prokurorja e speciales Lençe Ristovska kërkoi masa alternative të kujdesit respektivisht dënim me kusht pasi kujtoi se bëhet fjalë për profesioniste që nuk kanë patur asnjëherë dosje penale.
Lençe Ristovska, prokurore
“Apeluam që emrat e të akuzuarave mos të publikohen pasi janë pjesë e DSK-së dhe kjo gjë mund t’ua rrezikojë atyre dhe familjeve jetën…Pavarësisht se a kanë punuar sipas urdhrit të eprorit ligji është i qartë. Secili administrator është i obliguar që të refuzojë urdhër të eprorit nëse është i kundërligjshëme…Masë alternative domethënë lirim me kusht. Dënimi eventual me burg mund të mos ekzekutohet nëse i dënuari nuk e përsërit veprën penale”
Administratoret e punësuara në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim , gjithë fajin ia hodhën Goran Grujovskit, eprorit të tyre. Ata ngulnin këmbë se nuk kishin të drejtë dhe guxim t’ia refuzonin urdhrat Grujovskit.
E akuzuar
“Me vite punoj në MPB dhe e bëj punën time me profesionalizëm. E respektoj hierarkinë. Në këtë rast kam vepruar vetëm në bazë të eprorit”
E akuzuar
“Veprën nuk e kam bërë me paramendim. Vetëm kam vepruar sipas urdhrit të eprorit”
E akuzuar
“Nuk kisha mundësi zgjedhjeje… Vetëm punën e kam burimin e ekzistencës”
E akuzuar
“Nuk kam bërë asnjë vepër penale. Kam vepruar në bazë të urdhrit”
E akuzuar
“Kam ekzekutuar urdhrin e eprorit Goran Grujevski”
E akuzuar
“Gjithë veprimet e mija si anëtare e komisionit kanë qenë vetëm me urdhër të Goran Grujovskit. Për kaq vite si e punësuar në MPB nuk kam asnjë njollë”
Avokati Lupço Shvërgovski kërkoi nga gjykata që të lirojë të akuzuarit pasi sipas tij, nuk ka elemente të veprës penale.
Lupço Shvërgovski, avokat
“Nuk mund të ketë përgjegjësi penale pasi mungon elmenti thelbësor i veprës penale. Pa atë element nuk ka përgjegjësi askush pavarësisht veprave. Ai mund ti plotësojë gjithë elementet e veprës penale por nëse nuk e plotëson një kusht kryesor nuk ka vepër penale dhe nuk bart përgjegjësi”
I akuzuari kryesor për shkatërrimin e dokumenteve të përgjimit Goran Grujovski do ta merr vesh verdiktin të mërkurën më 8 nëntor, për kur është caktuar seanca për verdiktin. Ndërkohë nëse ndodh që autoritetet greke ta ekstradojnë Goran Grujovskin në Maqedoni, ai do duhet menjëherë të shkojë në qeli. Për këtë vepër, Grujovskit i rrezikohen tre deri në pesë vjet burg.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

