Cilat vende do të përballen me tarifat e reja të Trumpit?
Administrata Trump njoftoi para disa ditësh tarifa të reja ndaj 60 ekonomive, përfshirë Bashkimin Evropian, duke përmendur mënyrën se si ato trajtojnë mallrat e importuara të prodhuara me punë të detyruar.
Në një deklaratë, Përfaqësuesi Tregtar i Shteteve të Bashkuara (USTR) tha se kishte hetuar partnerët kryesorë tregtarë dhe kishte konstatuar se ata nuk kanë vendosur ose zbatuar në mënyrë efektive ndalimin e importit të mallrave të prodhuara përmes skllavërisë moderne.
Tarifat mbulojnë më shumë se 99% të importeve amerikane dhe zëvendësojnë një tarifë të përkohshme globale prej 10%, e cila duhej të skadonte.
Një tarifë prej 10% do të zbatohet për vende si Argjentina, India, Pakistani dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë miratuar ose janë zotuar të vendosin kufizime për importet e lidhura me punën e detyruar.
BE-ja, Tajvani, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zvicra do të përballen me tarifa prej 10% ose 12.5%, në varësi të produktit.
Mallrat nga 38 vende të tjera do t’i nënshtrohen një tarife më të lartë prej 12.5%, përfshirë Kinën, shumicën e Lindjes së Mesme, një pjesë të madhe të Amerikës Latine, Australinë, Zelandën e Re dhe Rusinë.
Përjashtimet përfshijnë çelikun, aluminin, automobilat, avionët civilë, mineralet e rralla dhe mallrat e mbuluara nga Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada.
Tarifat e reja hynë në fuqi më 24 korrik.
A kanë vërtet të bëjnë tarifat e reja të Trumpit me punën e detyruar?
USTR theksoi se SHBA-ja ka ndaluar importet e e mallrave prodhuar me punë të detyruar prej pothuajse një shekulli, duke shtuar se, pavarësisht konsensusit ndërkombëtar, “përhapja e punës së detyruar vazhdon në mbarë botën dhe madje është përshkallëzuar vitet e fundit”.
Uashingtoni argumenton se prodhuesit e huaj përfitojnë një avantazh të padrejtë në çmim nga kjo praktikë dhe se punëtorët amerikanë nuk mund të konkurrojnë me paga të bazuara në punën e detyruar.
Në realitet, shumë kritikë dhe analistë e shohin këtë masë si një manovër ligjore për të anashkaluar pengesat ndaj programit të gjerë tarifor të Presidentit amerikan Donald Trump, të shpallur në “Ditën e Çlirimit” më 2 prill 2025, të cilin Gjykata Supreme e SHBA-së e
Në atë kohë, Trump u mbështet në Aktin e Fuqive Ekonomike Ndërkombëtare në Rast Emergjence (IEEPA) të vitit 1977 për të vendosur tarifat pa miratimin e Kongresit, por gjykata vendosi se ky ligj nuk u jep presidentëve autoritetin të vendosin tarifa në mënyrë të njëanshme.
Tarifat e reja për punën e detyruar u vendosën sipas Nenit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, një ligj për tregtinë më i konsoliduar, për të cilin shumë analistë besojnë se do të jetë më i vështirë të rrëzohet nga gjykatat.
A ka vërtet BE-ja problem me punën e detyruar?
Krahasuar me Afrikën, Azinë dhe Amerikën Latine, puna e detyruar nuk është një problem madhor brenda 27 vendeve anëtare të BE-së, falë legjislacionit gjithëpërfshirës të punës dhe zbatimit të fortë të tij.
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e përkufizon punën e detyruar si punë e kryer nën kërcënimin e ndëshkimit dhe pa pëlqim vullnetar.
Megjithëse mbrojtja e punëtorëve në BE është relativisht e fortë, shumë importe ende përmbajnë lëndë të para ose përbërës të lidhur me punën e detyruar në vende të tjera.
Në dhjetor 2027, Brukseli do të vendosë një nga ndalimet më të rrepta të importeve në botë, sipas së cilës asnjë produkt i lidhur me punën e detyruar nuk do të lejohet të hyjë, të qarkullojë apo të dalë nga tregu i BE-së.
Duke reaguar ndaj tarifave të reja, diplomatja më e lartë e BE-së, Kaja Kallas, krahasoi ligjet e punës të bllokut me ato të SHBA-së, duke vënë në dukje se punëtorët evropianë gëzojnë pushime të paguara dhe kushte më të mira pune.
Pse kritikët i shohin tarifat si një rrugë alternative ligjore?
Disa analistë argumentojnë se tarifat e reja nuk respektojnë frymën e vendimit të Gjykatës Supreme dhe mund të kundërshtohen ligjërisht.
“Këto tarifa të reja do të përfaqësonin një tjetër rast të tejkalimit të kompetencave presidenciale”, shkroi Alan Wolff, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), në një postim në blog përpara njoftimit.
“Bota tashmë është mësuar me tarifa më të larta amerikane. Nuk ka prova se ndryshimi i arsyetimit amerikan për to do ta reduktojë në mënyrë domethënëse punën e detyruar në vende të tjera”, shtoi Wolff.
Të tjerë thanë se Trump po përdor shqetësimet për punën e detyruar si pretekst, ndërsa pjesa e importeve të lidhura me skllavërinë moderne nga shumica e ekonomive të zhvilluara është e papërfillshme krahasuar me Kinën.
“Tarifat kanë të bëjnë me shqetësime reale për praktikat e punës në Kinë jo si bazë për tarifa ndaj Kinës, por për tarifa të gjera ndaj shumicës së botës”, shkroi Brad Setser, studiues i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë (Council on Foreign Relations), në platformën X.
Chad Bown, studiues i nivelit të lartë në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, gjithashtu mendon se tarifat “largojnë vëmendjen e SHBA-së dhe aleatëve të saj nga lufta tregtare që duhet të zhvillojmë”, duke iu referuar uljes së varësisë nga mallrat kineze dhe ndërtimit të “zinxhirëve alternativë të furnizimit që janë më rezistentë”.
Edhe partnerë të tjerë tregtarë shprehën kritika të ngjashme, me Brazilin që i quajti tarifat “të pajustifikuara” dhe Australinë që i cilësoi si “absurde”.
A mund ta përdorë Trump Nenin 301 për tarifa të tjera?
Administrata tashmë po përdor Nenin 301 për një hetim tjetër mbi kapacitetin e tepërt prodhues në 16 partnerë të mëdhenj tregtarë, përfshirë Kinën dhe BE-në. Ekspertët e tregtisë presin që kjo mund të çojë në tarifa shtesë.
Gjatë mandatit të tij të parë, i njëjti legjislacion i lejoi Trumpit të vendoste tarifa ndaj Kinës për vjedhjen e pronësisë intelektuale dhe transferimin e detyruar të teknologjisë. Këto masa u zgjeruan më vonë nga administrata Biden.
Ekipi i Trumpit vazhdon gjithashtu të mbajë në fuqi tarifat ekzistuese të sigurisë kombëtare për çelikun, aluminin, automobilat dhe produkte të tjera, sipas Nenit 232 të të njëjtit akt ligjor.
Administrata e parë Trump vendosi në vitin 2018 tarifa prej 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, pasi Departamenti Amerikan i Tregtisë konstatoi se importet me kosto të ulët rrezikonin interesat kombëtare të SHBA-së.
Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump rivendosi, zgjeroi dhe rriti shumë nga këto norma, ndërsa shtoi tarifa të reja për automjetet, pjesët e automjeteve, bakrin dhe mallra të tjera të ngjashme. / DW



