Gjermania po ndërmerr një nga ndryshimet më të mëdha në politikën e saj të mbrojtjes që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, duke synuar zgjerimin e forcave të armatosura përballë luftës në Ukrainë, tensioneve me Rusinë dhe pasigurive mbi mbështetjen e ardhshme të Shteteve të Bashkuara.
Bundeswehr synon të rrisë numrin e ushtarëve aktivë me 80 mijë, duke arritur në 260 mijë efektivë, si dhe të krijojë një forcë rezervë prej 200 mijë personash. Plani mbështetet në Aktin e Modernizimit të Shërbimit Ushtarak, i cili hyri në fuqi më 1 janar.
Në kuadër të këtij ligji, autoritetet gjermane u kanë dërguar mbi 300 mijë letra të rinjve nën moshën 18 vjeç për të regjistruar gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar ushtrisë dhe për të mbledhur të dhëna mbi gjendjen fizike dhe nivelin arsimor. Ndërsa burrat janë të detyruar t’u përgjigjen autoriteteve, gratë e marrin njoftimin në mënyrë vullnetare.
Megjithatë, nisma ka hasur në kundërshtime. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 6 mijë të rinj kanë kërkuar përjashtim nga shërbimi ushtarak këtë vit për arsye fetare ose morale, një numër që tejkalon totalin e kërkesave të regjistruara gjatë gjithë vitit të kaluar.
Një dispozitë e ligjit, e cila kërkonte që burrat nga 17 deri në 45 vjeç të merrnin miratim paraprak për qëndrime të gjata jashtë vendit, u tërhoq pas reagimeve të forta nga organizatat studentore dhe grupet e opozitës.
Ndër zërat kritikë është edhe lëvizja “Greva e Shkollës Kundër Rekrutimit”, e krijuar në fund të vitit të kaluar. Anëtarët e saj argumentojnë se qeveria po investon në militarizim, ndërkohë që arsimi dhe nevojat e të rinjve mbeten të nënfinancuara.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u pezullua në vitin 2011, pasi u konsiderua i panevojshëm në klimën e sigurisë pas Luftës së Ftohtë. Megjithatë, ndryshimet në situatën gjeopolitike kanë rikthyer debatin mbi nevojën e një force më të madhe ushtarake.
Pavarësisht objektivave ambiciozë, deri tani vetëm rreth 500 rekrutë të rinj janë bashkuar me Bundeswehr-in këtë vit. Kjo ka shtuar presionin ndaj qeverisë, ndërsa disa politikanë paralajmërojnë se deri në mesin e vitit të ardhshëm Gjermania mund të detyrohet të shqyrtojë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nëse objektivat e rekrutimit nuk arrihen.



