14 Dhjetor
Lëvizja Besa bojkoton seancën për leximin e dytë të propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas tyre, mospjesëmarrja vjen si rezultat i skenarëve dhe keqpërdorimeve që bën kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane Artan Grubi dhe kolegët e tij nga BDI-ja.
Nuk do të marrim pjesë në debate të cilat janë teatër të kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane, por vetëm si grup parlamentar i Lëvizjes Besa kërkojmë nga komisioni që të votohet për amendamentet të cilat i parashtruam dje. Ideja e amendamenteve ishte përmirësimi i cilësisë së këtij ligji por siç e shihni nga BDI-ja dhe nga kryetari i komisionit Artan Grubi, i pamundësohet Lëvizjes Besa dhe opinionit të përgjithshëm që të deklarohet për këto çështje – deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa
Por Grubi hedh poshtë këto akuza. Sipas tij, rregullorja nuk parashikon kufizimin e replikave të deputetëve dhe se qëllimi i BDI-së është që propozim-ligji të mbetet i pandryshueshëm.
Unë i ftoj në veçanti opozitën edhe atë shqiptare edhe atë maqedonase që të vijnë sot deri në mesnatë që të diskutojmë mbi ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Nuk është thjeshtë një ligj për të cilin po diskutohet 3 muajt e fundit por 15 vite janë përpjekjet e shqiptarve për sjelljen e këtij ligji dhe mospjesëmarrja në një debat të tillë nga deputet shqiptarë, është skandaloze, është turp dhe unë skuqem për turpin e tyre – tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.
Pas fjalës së deputetit Vesel Memedi, të gjithë deputetët e BDI-së u paraqitën për replika. Meqenëse Rregullorja e Kuvendit nuk parashikon replika të kufizuara, deputetët e BDI-së po mbajnë fjalime maratonike, madje edhe duke lexuar propozim-ligjin nga foltorja. Deri në mesnatë duhet të mbarojë procedura e shqyrtimit të amendamenteve, ndërsa më pas ligji të dorëzohet në Komisionin juridiko-ligjvënës. Ditë më parë, Lëvizja Besa protestoi në Komision për shkak të mos mundësisë për shqyrtimin e amendamentit të parë, i cili pas propozimit u hodh poshtë nga ministri i Drejtësisë. Seanca fillimisht u anulua dhe më pas u thirr në orën 16, por opozita nuk ishte prezent. Për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, LSDM, Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE kanë dorëzuar 90 amendamente. Kjo e fundit tashmë disa ditë bojkoton çdo seancë në Kuvend.
Adrian Kerimi

