Prokuroria Publike Themelore në Shkup ka njoftuar se po punon për të zbuluar autorët e vrasjes së Ismet Kokës dhe plagosjes së Qemal Lusjanit, gjatë incidentit që ndodhi të premten në Çair.
“Një prokuror kompetent nga Prokuroria Publike – Shkup ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të zbulimit të kryerësit dhe motivit për sulmin. Kamerat që gjenden në afërsi të vendit të vrasjes do t’i nënshtrohen analizave. Sipas urdhrit të prokurorit publik, trupi i të ndjerit i dorëzohet autopsisë”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë.
Në të njëjtën kohë, janë lëshuar disa urdhra për ekspertizën e fishekëve, rrobave, gjurmëve të gjakut dhe objekteve të tjera të gjetura në vendin e ngjarjes.

