Zjarrvënësi i deponisë së mbeturinave së Tetovës ende është në liri, ndërsa prokuroria ende po mbledh prova. Sipas asaj që deri tani e kumtojnë nga Prokuroria Themelore e Shkupit, janë marrë incizimet nga kamerat e sigurisë prej objeketeve përreth deponisë, është marrë fletëpronësia e tokës në të cilën është e vendosur deponia dhe është matur edhe niveli i ndotjes së ajrit me qëllim që të shihet nëse zjarrvënësi me veprimin e tij, e ka kërcënuar shëndetin e qytetarëve.
PROKURORIA THEMELORE E SHKUPIT
“Prokuroria Themelore e Tetovës ka dhënë edhe urdhër që të kontrollohet pronësia e asaj parcele në të cilën gjendet deponia e Ndërmarrjes Publike për Higjienë Komunale-Tetovë. Prokuroria ka lëshuar urdhër edhe për marrjen e incizimeve nga kamerat e sigurisë të vendosura në objektet përreth me qëllim që të vërtetohet nëse ka pasur zjarrvënie të qëllimshme, dhe të shihet se kush e ka shkaktuar zjarrin. U lëshuar edhe urdhër për kontroll të jashtëzakonshëm të kualitetit të ajrit në mënyrë që në të ardhmen, nëse vërtetohet se dikush e ka shkaktuar zjarrin qëllimisht, do të sigurohet si provë për të vërtetuar se me këtë veprim autorët kanë kërcënuar shëndetin e qytetarëve”
Ndërkohë që prokuroria po bën hetimin për zjarrin i cili shqetësoi tej mase popullatën e revoltuar nga neglizhenca e autoriteteve, deponia ende ekziston. Kujtojmë se kryetarja e kësaj komune Teuta Arifi kishte dyshime se disa zjarre në objekte dhe vende publike në Tetovë kishin qenë të sinkronizuara. Madje Arifi pohonte se ka njohuri për autorët e mundshëm por edhe për motivin.
TEUTA ARIFI, KRYETARE E TETOVËS
“Këto hedhurina unë nuk i solla këtu, por i gjeta…Në qoftë se dikush prej kësaj çështjeje dëshiron që të bëjë fushatë dhe ta përdor dhe ta keqpërdor, mendoj se e ka zgjedhur rrugën e gabuar…”
Komuna ka ngritur procedura penale ndaj veprimtarëve të mundshëm dhe kërkon nga organet e rendit që në mënyrë serioze të merren me këtë çështje, meqë ne kemi indikacione por nuk jemi organi kompetent për tu marrë me këtë punë…Kush luan me zjarrin në fund edhe digjet”
Edhe përkundër këtyre indikacioneve, Prokuroria ende nuk ka dhënë asnjë njoftim se e e ka kapur ndonjë të dyshuar. Deponia digjej për dy ditë me radhë dhe kjo i shtyu qytetarët që të dalin në protesta duke kërkuar përgjegjësi nga kryetarja Arifi edhe për krijimin e deponisë në hyrje të qytetit ashtu edhe për djegien e saj. Ndërmarrja Publike Komunale Tetovë e përdor deponinë e vendosur në fillim të qytetit për vite me radhë.
Edhe pse kishte premtime nga udhëheqësia e tanishme për zhvendosjen e deponisë, pas katër vitesh deponia ende figuron në po të njëjtin vend. Ekologjistët kohë më parë paralajmëruan kallëzim penal për kreun e komunës së Tetovës për shkak të neglizhencës. Ferikan Iljazi Arifi

