Komisioni i përkohshëm për monitorimin e procesit zgjedhor në Prokurorinë Themelore raportoi për krimin dhe korrupsionin zgjedhor të shënuar gjatë zgjedhjeve lokale, por prej dhjetëra denoncimeve të marra nga parti politike dhe qytetarë, asnjë nuk është iniciativë e vetë komisionit në krye me Xhelal Bajramin. I pyetur nëse ka denoncime ose njohuri të prokurorisë për fenomenin e “trenit bullgar”, Bajrami tha se nuk ka asnjë procedurë të tillë.
XHELAL BAJRAMI, PROKUROR
-A keni patur ju ndonjë hetim ose a keni ngritur vetë ndonjë hetim për tren bullgar?
Nuk ka patur ndonjë denoncim dhe deri tani nuk ka asnjë procedurë.
-Prej gjithë këtyre procedurave që i theksuat, ju si prokurori a keni ngritur ndonjë hetim me iniciativën tuaj?
Me iniciativën tonë nuk kemi ngritur. Kemi vepruar konform parqitjeve që janë bërë në Prokurorinë Themelore Publike”
Xhelal Bajrami tha se asnjë polic nuk është i dyshuar për krime zgjedhore edhe pse në opinion pati denoncime të shumta për ndërhyrje të policisë në vullnetin e lirë të qytetarëve. Gazetarët e pyetën Bajramin nëse ka ndonjë hetim për të shtënat e pandalura me të cilat festoi BDI-ja fitoren në disa komuna, por Bajrami insistonte që ata kanë hetuar vetëm krimin dhe korrupsionin zgjedhor, e kjo sipas tij, nuk bie në atë fushë.
XHELAL BAJRAMI, PROKUROR
“Pas nuk di sa herë themi se do të përgjigjemi në pyetjet që janë të lidhura me temën. Ky komision është formuar për ndjekjen e parregullsive zgjedhore dhe ne po veprojmë në bazë të denoncimeve që lidhen me këtë fushë”
Prokuroria e Lartë e Shkupit ka regjistruar dy kallëzime penale për agjitim dhe ryshfet. Njërit prej të dyshuarve i është gjetur madje një listë me evidencë të pagesave për blerje votash.
Në Veles një person ka votuar në vendin e gruas së tij ndërsa një tjetër u ka bërë presion të punësuarve të tij që të votojnë njërin prej kandidatëve.
Në Shtip ka pasur një padi kundër një personi që ka bërë korrupsion votash një ditë para zgjedhjeve dhe janë bërë denoncime se ka transport të organizuar për votues.
Në Strugë në afatin prej rrethit të parë e deri në rrethin e dytë zgjedhor ka pasur tre denoncime nga partitë konkurruese politike për korrupsion votash, ndikim tek votuesit dhe nxitjen e urrejtjes në bazë etnike. Ka pasur denoncim edhe për ndikim tek votuesit.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

