30 March 2018 / 16:00
Prokuroria Themelore Publike vazhdon hetimet sa i përket rastit të denoncuar ditë më parë nga prindërit e fëmijës së adaptuar, të cilët akuzojnë se kërkohen para gjatë procesit të birësimit të fëmijëve. Nga Prokuroria nuk japin detaje shtesë lidhur me rastin, por thuhet se Prokurori kompetent punon në zbardhjen e rastit. Ndërkohë nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi” thonë se rastet e tilla tregojnë se sa institucionet e vendit funksionojnë në mënyrë ligjore.
Meqë kjo ka ndodhë, ka ndonjë problem shteti, institucionet nuk punojnë. Mbasi ndodhin kësi rastesh patjetër të ketë ndonjë problem në sistemin shtetëror, në sistemin e drejtësisë, në sistemin e mbrojtjes sociale, pakujdesshmëria e fëmijëve. Gjithçka që është ndërmarrë deri më tash, pritet përgjigje nga Prokuroria, nga ministria e Brendshme, nga ajo sociale dhe ne nuk do të ndalojmë t’i ndërmarrim masat e duhura derisa nuk zbardhet rasti në tërësi – deklaroi Tatjana Gogoska, Ambasada e fëmijëve “Megjashi”.
Nga ambasada për fëmijë “Megjashi” shtojnë se kanë dorëzuar të gjitha dokumentet që ata disponojnë nëpër institucionet kompetente për të ndihmuar zbardhjen e rastit.
Ambasada e fëmijëve “Megjashi” në kuadër të mundësive të saja ligjore do t’ju përgjigjet të gjitha kërkesave të Prokurorisë themelore Publike, nga MPB nga ministria Sociale, dhe i dorëzoi të gjitha dokumentet e disponueshme të cilat i posedon Ambasada Megjashi – shtoi Tatjana Gogoska.
Ndryshe, ditë më parë Kristina Kuzmanova nga Shkupit akuzoi se i janë kërkuar 2000 euro nga ana e Komisionit për birësim, për të marrë firmën përfundimtare për adaptimin e fëmijës. Si pasojë e mosdhënies së kësaj shume të parasë, asaj i ishte marrë fëmija. Disa ditë pas publikimit të rastit, Prokuroria Themelore Publike hapi procedurë ndaj ministrisë së Punës Sociale për dyshimet se kërkohen para gjatë procesit të birësimit të fëmijëve. Reagime mbi rastin pati edhe ministria e Punës Sociale e cila tha se zbardhjen e rastit e len në duart e institucioneve kompetente. Gjatë ditës së djeshme reagime mbërritën edhe nga Avokati i popullit.
Vjollca Aliti


