Avokatja Snezhana Stefanovska, e cila mbron të akuzuarin Mirsad Qerimi në rastin “Kumanova”, denoncoi fjalë të rënda që tha se ia kanë thënë prokurorët Naum Panovski dhe Villma Ruskovska vetëm sepse mbron një të akuzuar në Lagjen e Trimave.
“Si mund ta mbrosh këtë njeri. A s’të vjen keq për të vrarët”, thanë prokurorët Naum Panovski dhe Villma Ruskovska, përcjell Tv Shenja.
“Unë ju them tani. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Dhe të gjithë kemi të drejtë për mbrojtje”.
Avokatja ua kujtoi prokurorëve se ata kanë sjellë akuzë paushalle pa prova që do të mbështesnin pohimet e tyre se Mirsad Qerimi është përfshirë me vetëdije në grup dhe se ka kryer vepra terroriste.
“Si mund ta akuzoni për terrorizëm dikë që nuk ka pasur as armë. Nuk ka pasur as uniformë”
Prokuroria e kishte gjetur ADN-në e Mirsad Qerimit në një bisht cigareje në lagje, por avokatja siguroi se Qerimi nuk e mohon praninë por vetëm veprimet terroriste.
Mirsad Qerimi, i cili flet shumë pak, ose thuajse fare në gjykatë, i tha trupit gjykues se ai nuk është terrorist.
“Fjala terrorizëm është fjalë shumë e rëndë, për cilindo. Unë kurrë nuk e kam perkrahur terrorizmin, as familja ime. Për çfarëdo qëllimi që u bë kjo dhe për çkado që ndodhi ngjarja, të gjithë e dinë se nuk ka patur terrorizëm. Nëse dikush ka bërë terrorizëm ajo është policia”, deklaroi Mirsad Qerimi në gjykatë.
Më së shumti edhe dy seanca gjyqësore do t’u kushtohen fjalimeve përfundimtare të mbrojtjes. Ka mundësi për fjalë edhe prokuroria por fjala e fundit para se të merret vendimi gjyqësor, duhet të jetë doemos i avokatëve dhe të akuzuarve.