Nga prof. dr Kristaq Bërxholi – Problemi, natyrisht nuk është i ri, por as shumë i vjetër. Unë mendoj se të gjithë e mbajnë mend, disa edhe e kanë shfrytëzuar momentin. Ka qenë viti 2016, 1 vit para përfundimit të 4-vjeçarit të parë, të qeverisë “Rama 1”, në aleancë të “ngushtë” me LSI-në. Ministri i Bujqësisë qe i “madhi” prof. Panariti, i cili kishte mbledhur rreth vetes një grumbull njerëz. Aty nga fundi i këtij viti, në mos gaboj, por data nuk ka rëndësi fare, ministri i Bujqësisë vendosi që të blejë për shërbimin veterinar të asaj kohe, që ishte copë-copë; motorë (motoçikleta është në inventar). Mesa kam marrë vesh janë blerë rreth 70 të tillë. Se pse i bleu, motivi, çfarë e shtyu dhe pse kaq pak, e di më mirë ministri i Bujqësisë i asaj kohe. Personalisht nuk do të flas për tenderin se si u bë, pse u bë, kur u bë etj., pasi nuk di gjë për të, por do të them dy fjalë të tjera. Motorët që u blenë ishin të tipit “LIFAN”. Këta motorë, referuar internetit, ishin me çmim mesatarisht 500 apo dhe 600 euro (sipas internetit) duke futur edhe koston e transportit rreth 70 euro.
Problemi është se përse u blenë 70 të tillë (mbase numri i saktë më lartë apo më poshtë mund të lëvizë me gjëra të vogla) e nuk u blenë aq sa ishin specialistët e mjekësisë veterinare? Mbase aq para kishte ministria, edhe kjo mund të jetë. Po pse nuk u blenë në 2017-ën, që të grumbulloheshin edhe ca lekë të tjera? Duhet pyetur urdhëruesi i blerjes se tyre. Kjo është detyrë e SPAK-ut kur ta hetojë. U blenë dhe u shpërndanë. Ne mundëm të pyesnim disa motorxhinj për dy gjëra: 1. çfarë kishte dosja që shoqëronte motorët dhe 2. sa ishte inventari i tyre? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të mundohemi t’i japim të sakta, aq sa e kemi informacionin.
Për pyetjen e parë, përgjigjja ishte: “Në dosjen e motorit kishte vetëm një fletë inventari”. Pyetjes sonë se “a kishte fotografi, instruksione të përdorimit apo ndërtimit?”, ata na thanë “jo”, pasi unë u kërkova foto të motorit nga dosja. Unë natyrisht prapë isha e jam mosbesues. Nëse kjo është e vërtetë, këtu lindin shumë pikëpyetje, që unë nuk do merrem me to. Më mirë le të pyesë SPAK-u. Unë do them kaq, që në fletën e inventarit nuk kishte të shënuar asgjë tjetër veçse emërtimi motoçiklete.
Për pyetjen e dytë:
Kjo është gjëja më e çuditshme. Pse do thotë kush? Unë, siç e thashë, nuk kam dokumente të tenderit, edhe pse pyeta ca kompetentë (meshkuj), në dikaster, ata më thanë: “Ne nuk dimë gjë fare e jo më të dimë çmimin real të blerjes së motorit”, çmim i cili duhet të ishte, së bashku me dokumentet e dosjes (jo të gjitha por çmimi i blerjes minimumi sipas meje), pasi nuk bëhej fjalë për lapsa e fletore apo fshesa. Ne, si e përmenda, gjetëm një çmim, po marrim maksimalin e atyre viteve 600 euro. Çudia tani! Në fletën e inventarit, ishte vendosur një çmim inventari marramendës, sikur të ishte blerë një “Suzuk”, i barabartë me 330.804 (lekë të reja), që të konvertuar në euro, me kursin mesatar të 2016-ës të euros që ishte 133 lekë (herë më lartë e herë më poshtë) do të thotë rreth 2400 euro, inventari i motorit. Merreni me mend që një motor i blerë me rreth 600 euro (jam i bindur që është blerë edhe më pak) dhe të vihet në inventar 2400 euro, vetëm një ministër mund ta bëjë. Kjo diferencë bëhet edhe më enigmatike, pasi çmimi i blerjes nuk ka shkuar te poseduesi. Bazuar në sa u tha më lartë, një diferencë e tillë e barabartë me 1800 euro (nëse motori është blerë 600 euro) është skandaloze që nëse e llogarisim për 70 motorë është një vlerë e barabartë me 168 mijë euro, pra gati 250 milionë lekë të vjetra.
Ku shkoi kjo diferencë lekësh?
Gjithsesi, SPAK-ut dhe znj.Milva unë u bëj thirrje të hetojnë.
Pyetja e tretë:
Kaq i pasur shteti jonë që të blejë motorë dhe t’ua falë specialistëve me këto çmime marramendëse? Ka ndonjë lidhje me fushatën e zgjedhjeve? Nuk besoj.
Pyetja e katërt:
Po dy ministrat e Rilindjes, Peleshi e Çuçi, pse e kanë anashkaluar këtë ngjarje? Kaq i pasur është ky vend, që të blejë motorët me fundja 2400 euro? Po KLSH-ja nuk di gjë fare? Po auditi i ministrisë, fare s’di gjë?
Unë këtu nuk them se është vjedhur gjë, por mungesa e dokumentacionit në dosje krijon mosbesim. Hetimi duhet ta sqarojë. Edhe sikur motorët të jenë blerë me 2000 euro, prapë ka diferenca. Vetëm me 2400 euro,
tenderistat janë “OK”.



