Bandat kriminale shqiptare kapen duke ofruar një “shërbim me gjithçka të përfshirë” për ngritjen e fermave të kanabisit në shtëpitë e britanikëve
Nga Mark White, GB NEWS
GB News ka zbuluar shërbimin e ri të hapur të bandave kriminale shqiptare, të cilat ofrojnë ngritjen e fermave të paligjshme të kanabisit në shtëpi në të gjithë Britaninë e Madhe.
Bandat tashmë reklamohen në rrjetet sociale, duke ofruar një “shërbim të plotë” për ndërtimin dhe funksionalizimin e ambienteve ku kultivohet kanabisi.
Duke u paraqitur si kompani të ligjshme ndërtimi, grupet kriminale mbërrijnë me furgona të mbushur me fidanë kanabisi, pajisje hidroponike dhe llamba ngrohëse.
Brenda pak orësh nga mbërritja në një banesë, këto ekipe kriminale mund të shndërrojnë dhoma të tëra në ambiente për kultivimin e kanabisit.
GB News ka siguruar disa video që tregojnë në veprim këtë aktivitet të ri kriminal, të organizuar në mënyrë profesionale.
Bandat modifikojnë instalimet elektrike të banesës për të furnizuar llambat e shumta të ngrohjes dhe sistemin e ujitjes që nevojiten për kultivimin e bimëve.
Ato madje izolojnë edhe ndërtesën, duke veshur dhomat me materiale reflektuese për të mbajtur nxehtësinë brenda dhe për ta bërë më të vështirë zbulimin nga helikopterët dhe dronët e policisë, të cilët mund të identifikojnë humbjen karakteristike të nxehtësisë përmes çative të ndërtesave ku kultivohet kanabisi.
Video të tjera shqetësuese tregojnë se bandat vendosin hekura në dritare dhe dyer, si për të mbrojtur fermat e kanabisit nga grabitjet e grupeve rivale, ashtu edhe për të penguar policinë në rast të një kontrolli apo bastisjeje.
Pasi bimët rriten plotësisht, korren dhe shiten, bandat ofrojnë madje edhe shërbim pastrimi: çmontojnë fermën, boshatisin dhomat dhe e kthejnë banesën në gjendjen e saj normale.
Një burim nga bota e krimit të organizuar i tha GB News: “Kjo është jashtëzakonisht e hapur. Bandat kriminale janë bërë shumë më të sofistikuara.”
Sipas tij, personat që tundohen të hyjnë në botën e drogës nuk kanë më nevojë për njohuri të specializuara.
“Mjafton t’u japësh bandave një pjesë të fitimeve dhe ato të sigurojnë gjithçka që të nevojitet, nga bimët dhe vazot deri te llambat e ngrohjes.”
GB News kupton se reklamat në rrjetet sociale u drejtohen drejtpërdrejt komunitetit shqiptar në Britani, që numëron rreth 150 mijë persona.
Sipas raportimit, bandat kriminale shqiptare tashmë kontrollojnë pjesën dërrmuese të aktivitetit kriminal të lidhur me kanabisin në Britani, duke marrë gradualisht kontrollin e këtij tregu nga grupet kriminale vietnameze gjatë dekadës së fundit.
Tregtia e paligjshme e kanabisit është jashtëzakonisht e madhe dhe vlerësohet në më shumë se 2.5 miliardë paund në vit.
Për shpërndarësit në nivel rruge, tregtia e kanabisit mund të jetë madje më fitimprurëse sesa shitja e drogave të kategorisë A, si kokaina.
Si rezultat, aktiviteti kriminal i lidhur me kanabisin konsiderohet një nga faktorët që ushqen një pjesë të madhe të dhunës mes bandave në rrugët britanike, ndërsa grupet kriminale luftojnë për të marrë një pjesë sa më të madhe të këtij tregu të paligjshëm.



