Nga Ilda Zhulali
Raporti i Bashkisë Tiranë thotë se gjatë janar-qershor 2026 janë vjelë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (taksa që paguajnë zhvilluesit për çdo pallat e kullë të re) 12.47 miliardë lekë, kundrejt 5.3 miliardë lekë të planifikuara. Pra 235% mbi plan! Krahasuar me 6-mujorin e 2025, rritja shkon në 362%!!!
Kjo është dëshmi shifrore e asaj që të gjithë e shohim, se si Tirana po mbytet nga betoni. Lejet e ndërtimit po jepen si karamele, kulla mbi kulla, pa plan, pa fre, pa asnjë kriter urbanistik.
Dhe nga këto miliarda që po grumbullohen mbi kurrizin e këtij kaosi urban, Bashkia ka investuar në qytet vetëm 11% të planit vjetor. Vetëm 2 miliardë lekë nga 18.9 miliardë të premtuara. Krahasuar me vitin e kaluar, investimet U ULËN me 21%!
Thënë thjesht, Bashkia po mbush arkën me paratë e betonizimit të pafre, dhe në vend që t’i kthejë në rrugë, kanalizime, shkolla, kopshte, hapësira të gjelbra, i mban në sirtar apo i shpërndan kushedi ku, ndërsa Tirana po humbet frymëmarrjen e saj të fundit.
Edhe më skandaloz është fakti se fondi i kushtëzuar i emergjencave civile, që duhet të financojë masat parandaluese e rehabilituese kundër zjarreve, përmbytjeve e fatkeqësive, NUK ËSHTË PËRDORUR FARE në 6 muajt e parë të 2026-s. Zero lekë!!!
Kështu që kur shohim flakët të përpijnë kodrat përreth qytetit, tymin që mbulon qiellin e Tiranës dhe familje që humbin çati mbi kokë, mos u habitni pse s’kishte asnjë masë parandaluese, asnjë investim në pajisje apo kapacitete zjarrfikëse përpara se të niste sezoni i verës. Paratë ishin aty, buxheti i miratuar, por NUK u përdorën!
E njëjta Bashki që mbrëmë komunikoi me banorët vetëm në orën 11 të natës, përmes një çerekpostimi nga Anuela Ristani, gjen kohë e burime për të lëshuar leje ndërtimi me shpejtësi rekord, por nuk gjen kohë e as para për të mbrojtur qytetin nga zjarri.
Kur bashkia çmon më shumë lejet se jetën, e ka treguar vetë se kujt i shërben. Tirana po e paguan atë zgjedhje sot, me shtëpi që digjen dhe qytet që po zhuritet.



