Ish-drejtuesi i Policisë, Shemsi Prençi, ka bërë një tjetër denoncim të fortë në emisionin “Kjo Javë” në News24, këtë herë për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Prençi deklaroi se në hetimet e SPAK janë në fokus edhe pasuri të tjera që ai ia atribuon Ballukut, mes tyre një vilë në Sardenjë dhe ambiente biznesi në Tiranë.
Sipas Prençit, vila në Sardenjë është në emër të një personi të afërt me Ballukun, ndërsa ai pretendoi se shumë shpejt mund të dalin në dritë edhe të dhëna për lokale me sipërfaqe rreth 800 metra katrorë në Tiranë. Ai tha se verifikimet për vilën në Sardenjë janë kryer nga oficerë të BKH-së në kuadër të hetimeve.
“Edhe Belinda tha se nuk kishte vila, por i dolën 3. Mes tyre, bëhet fjalë për një vilë në Sardenjë, është e konfirmuar nga hetimet e SPAK. Se kanë nxjerrë si informacion mediat, por oficerët e BKH që kanë shkuar me shërbim ta verifikonin. Shumë shpejt do të dalin dhe ca lokale 800 metra katrorë brenda vendit, në Tiranë. Vila në Sardenjë mendohet se është në emër të një personi të afërt që ka punuar me të. Lokalet mbahen nën juridiksionin e ndërtuesve.
Me ndryshimet që bëhen në Kuvend, SPAK nesër do t’i vështirësohet puna për të vënë në punë provat. Por SPAK iu ka nxjerrë lakrat pak nga pak. Mjafton të provohen 3 vilat e Ballukut se tha s’kam asgjë, si Karçanaj që tha se jetonte me qira. Kryeministri sa herë tenton të bëjë avokatin, e tenton te përbetimi i vartësve dhe zhytet te mashtrimet e tij duke bërë si avokat.
Rama do të shkojë në SPAK për trafikun e armëve, dhe SHISH. Do merret patjetër në pyetje. A do të hapë derën, se ka ndodhur dhe një herë që s’e ka hapur derën.”, tha ai.



