Pas informacioneve për prishjen e barakave të vjetra në afërsi të nënkalimit në Komunën e Butelit, kryetari Petre Latinovski, tha se sipas planit urbanistik të komunës, në vend të barakave, nuk do të ndërtohet qendër tregtare, por do të ndërtohet objekt social për 360 familje në nevojë.
“As komuna e Butelit, as Ministria e transportit dhe lidhjeve, madje as qeveria nuk kanë shitur tokën. Ajo parcelë është kthyer tek pronarët privat me ligjin për denacionalizim, por tani ne nuk e dimë nëse pronarët të njëjtën ia kanë shitur dikujt tjetër. Vendi i komunës së vjetër është i zbrazët dhe ato hapësira i takojnë shtetit. Në atë hapësirë është paraparë një ndërtesë e madhe për 360 familje të rasteve sociale”, u shpreh Petre Latinovski, Kryetar i Komunës së Butelit.
Kryetari Latinovski tha se projekti duhet të realizohet nga Ndërmarrja publike për menaxhim me hapësirat afariste dhe banesore, duke arsyetuar që kriza e stërzgjatur e ka bërë të vetën.
Por, drejtori i Ndërmarrjes publike për menaxhim me hapësirat afariste dhe banesore, Svetko Grozdanov tha se ky objekt nuk do të fillojë të ndërtohet deri sa nuk sigurohen mjetet nga shteti. Sipas tij, një tender i qeverisë ka dështuar, për shkak se Banka Qendrore Evropiane nuk e ka miratuar buxhetin për atë projekt.
Në ato baraka të komunës banojnë disa qytetarë në mënyrë ilegale, por nga zyra për politikë sociale në Butel, përveç strehimit të përkohshëm, nuk kemi çfarë të bëjmë, thotë ministri Ibrahimi.
“Ne si Ministri e punës dhe politikës sociale, për shkak se bëhet fjalë për tokë private e marrë nga procesi i denacionalizimit, banorëve do t’ju ofrojmë një strehim të përkohshëm. Këto janë kushtet të cilat mund t’ju dalim në ndihmë, ministria ka aq kapacitet. Jashtë kësaj ne nuk mund t’ju premtojmë objekte sociale banimi”, tha Ibrahim Ibrahimi, Ministri i punës dhe politikës sociale.
Prej 10 vjetësh, Ministria për punë dhe politikë sociale, i vendosi në barakat që gjenden afër ndërtesës së vjetër të komunës së Butelit. Ky urdhër i investitorit privat ka shqetësuar 16 familjet të cilët qe 10 vjet jetojnë në to. Pjesa më e madhe e tyre janë shfrytëzues të disa të drejtave të caktuara, në pajtim me ligjin për mbrojtje sociale./TV21