Pas kapjes së Goran Grujovskit dhe Nikolla Boshkovskit në Selanik të Greqisë, policia dhe Ministria e Drejtësisë po presin njoftimin zyrtar të policisë greke dhe Interpolit për arrestimin, që t’u shërbejë për të nisur procesin e ekstradimit. Policia paralajmëroi detaje të arrestimit gjatë ditës, por deri më tani ende nuk dihet se në çfarë mënyrë janë kapur dy të arratisurit e akuzuar për shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit.
Jozyrtarisht mësohet se të akuzuarit, ish të punësuar në DSK, janë kapur gjatë tentativës së tyre për të kaluar në ndonjë shtet të BE-së, me pasaporta të rrejshme bullgare.
Me hyrjen në fuqi të ekstradimit, Grujovski dhe Boshkovski menjëherë do të kthehen në Maqedoni dhe do të dërgohen direkt në burgun e Shutkës ku duhet të mbajnë paraburgimin 30 ditor të caktuar gjatë ditëve kur janë arratisur. Nëse ekstratohen para datës 2 nëntor, Grujovski do duhet të dalë në gjykatë në seancën e ardhshme të rastit “Fortesa2”.
Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski janë në arrati për më shumë se tre muaj. Ikën kur Gjykata e Apelit u shqiptoi paraburgim, ndërsa gjykata Supreme ju dha mundësi që të ankohen. Derisa zgjati procesi i ankimimit, të akuzuarit veçmë kishin braktisur shtetin.
Ish drejtori i Drejtorisë së Pestë të DSK-së Goran Grujovski dhe bashkëpunëtori i tij Nikolla Boshkovski, akuzohen për përgjim të paligjshëm të mijëra qytetarëve nëpërmjet sistemit të MPB-së dhe për shkatërrimin e pajisjeve dhe dokumenteve ku figuron keqpërdorimi. Grujovski është i akuzuari kryesor për përgjimin dhe shkatërrimin e të dhënave dhe pajisjeve për përgjim, ndërsa Boshkovski llogaritet si ekzekutuesi i urdhrave të tij. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

