VMRO – DPMNE-ja ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për ti pranuar bisedat e përgjuara si dëshmi në rastin “Treqind”, për blerjen e automjeteve për policinë. Nga opozita thanë se gjyqtarët e Apelit kanë miratuar vendim të paligjshëm.
“VMRO-DPMNE i paralajmëron të gjithë zyrtarët që ushtrojnë poste publike, se duhet të punojnë sipas ligjit, çdo veprim ndryshe do të ndëshkohet dhe autorët e krimit do të duhet të përballen me përgjegjësi penale me kthimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Maqedoni”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Juristët me pikëpamje të kundërt. Sipas avokatit Zvonko Davidoviq, bombat duhet të jenë dëshmi në sallën e gjyqit. Vendimi i Apelit ishte i drejtë dhe ka dëshmuar se gjykatësit në Gjykatën Penale kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke i hedhur poshtë materialet e përgjuara që tregojnë për keqpërdorime të rënda.
Asgjë nuk pengon që biseda e përgjuar të dëgjohet në sallën e gjyqit dhe të mbështetet me dëshmi të dokumentuar. Është qesharak konstatimi dhe vendimet e gjykatës themelore se ato nuk shërbejnë si dëshmi. Ne në raste të veçanta kemi pasur biseda të regjistruara në celular të të dëmtuarit. Kemi pasur regjistrime të kamerave që nuk kanë leje për t’u vendosur në ndërtesë, por i kemi përdorur si dëshmi – u shpreh Zvonko Davidoviq, avokat.
Përveç në rastin “treqind”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është akuzuar edhe ndihmës Ministri i Brendshëm Gjoko Popovski, bisedat e përgjuara do mund të përdoren si dëshmi edhe në lëndën e njohur për publikun si “shuplakat në Qendër”. Aty i akuzuari i parë është ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
Bojan Stojanovski

