Gazetarja Klodiana Lala ka analizuar ecurinë e disa dosjeve më të rëndësishme që po hetohen nga SPAK, duke nisur hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku, afera e AKSHI-t, dhe dosja Aruba.
Gazetarja tha se pozita e Ballukut është rënduar për shkak se tashmë është marrë e pandehur për të gjitha lotet e tjera të Unazës së madhe, krahas Tunelit të Llogarasë, ndërsa po dyshohet gjithashtu për korrupsion e pastrim parash.
Në kuadër të hetimeve, janë ushtruar kontrolle në disa vila në jug të vendit si dhe te kompania “Atelier 4”, e cila dyshohet se ka dizenjuar këto vila që mund të jenë pasuri të fshehura të saj.
Po ashtu, ajo bëri me dije se gjykata ka autorizuar kontrolle edhe në 53 telefona të tjerë, krahas të tjerëve që u kontrolluan më herët.
“Është rënduar ndjeshëm pozita e saj në raport me ligjin për shkak se nuk është më e pandehur vetëm për tunelin e Llogarasë, por janë ngritur akuza edhe për lotet e tjera të Unazës së Madhe. Ka pasur kontrolle, disa vila në jug të vendit, kompania që dyshohet se ka bërë dizajnin e brendshëm të këtyre vilave, që sipas prokurorëve ka dyshime se janë pasuri të fshehura të Ballukut. Nëse provohet dhe nëse shkohet drejt një sekuestrimi të mundshëm, kjo e rëndon ndjeshëm pozitën e saj. Po hetohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash. Kontrollet e reja janë bërë edhe në një arkitekt në Vlorë dhe që duhet parë se çfarë janë të dhënat e reja. Janë marrë celularë, janë marrë dëshmitarë. Janë edhe 53 celularë që po kqyren aktualisht nga 80 e ca. Gjykata ka miratuar edhe pjesën tjetër të celularëve për kontroll”, tha ajo.
Sa i përket dosjes Aruba ajo bëri me dije se priten zhvillime të tjera.
“Mendoj se dhe dosja Aruba do të ketë zhvillime se janë bërë vetëm goditjet e para. Bëhet fjalë për një sërë takimesh jo vetëm në Aruba, por edhe në Majorca e vende të tjera”, shtoi gazetarja.
Ndërkohë sa i përket hetimeve për organizatën e Shpëtim Aliut, gazetarja tha se po verifikohet roli i një ish ministreje të PS-së në lidhje me disa transferta jashtë vendit.
“Në organizatën e Shpëtim Aliut, edhe aty po vijojnë hetimet për pastrim parash. Në radhët e zyrtarëve të lartë është një ish ministre e PS që po shikohet roli i saj për disa transferta jashtë vendit. Por për sa kohë nuk ka rezultat konkret ende nuk mund të flas me emër”, shtoi Lala.



