Policia e Shtetit në Shqipëri ka shprehur shqetësimin për pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit, duke theksuar se disa prej tyre janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj dhunës dhe përplasjeve me efektivët.
Përmes një deklarate, Policia u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve të tyre dhe të mos lejojnë përfshirjen e tyre në situata që rrezikojnë jetën dhe shëndetin.
Sipas Policisë, në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, mes sendeve të forta të hedhura, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.
“Siguria e fëmijëve është një përgjegjësi që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim”, thuhet në deklaratë.
Policia thekson se, përveç detyrimit të saj ligjor për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve u takon para së gjithash prindërve dhe kujdestarëve ligjorë.
“Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.
Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës”, apelon Policia.
Në deklaratë, uniformat blu shprehin gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, me qëllim ekspozimin e tyre ndaj rrezikut për interesa të caktuara.
“Përdorimi i fëmijëve si mburojë për akte dhune nuk është ushtrim i së drejtës për protestë. Është një veprim i papranueshëm që cenon sigurinë dhe të drejtat e tyre”, thekson Policia.



