Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 9.4 kilogramë marihuanë në fshatin Popoc të Gjakovës, në zonën e brezit kufitar, ndërsa një shtetas turk është arrestuar në lidhje me rastin.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë patrullimit dhe punës në terren më 21 shtator, njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” në Gjakovë kanë lokalizuar vendin ku ishin fshehur lëndët narkotike.
Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar, një natë më herët, “përderisa ishin nën ndjekje nga patrullat policore kufitare, kishin fshehur lëndën narkotike dhe kishin braktisur automjetin”.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri çanta dhe një qese, të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, në peshë totale prej 9 kilogramësh e 400 gramësh.
“Person/a të dyshuar kanë fshehur dhe kanë braktisur tri (3) çanta dhe një qese, të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në lidhje me rastin, një shtetas turk, pasi është identifikuar, është arrestuar nga njësitet policore në Prishtinë dhe Mitrovicë të Jugut, të cilat ishin në asistim të njësive kufitare.
Rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “blerje, posedim, shitje e paautorizuar e lëndëve narkotike”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe, sipas Policisë, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.



