Ndërkohë që i gjithë territori i shtetit sot është në izolim të plotë, nëse nuk do të kishte kërcënim nga COVID 19, sot më 12 prill, do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Vendimi u soll nga liderët e të gjitha partive politike në vend, të cilët pas dështimit për të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në, u ftuan në vilën e Presidentit Stevo Pendarovski, pas çka në mënyrë unanime vendosën që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Liderët e partive politike, në takim me presidentin, gjithashtu kishin theksuar përkushtimin e tyre për integrimin evropian të vendit, duke thënë se “përveç NATO-s dhe BE-së, Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër”.
Ndërkohë që vendi aktualisht është me Qeveri teknike, partitë politike kishin filluar tashmë përgatitjet për të garuar në zgjedhjet që do të duheshin të mbahen sot, madje subjektet politike arritën që të krijojnë koalicione parazgjedhore. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të garonin së bashkuy në këto zgjedhje, ndërkohë që për herë të parë në këto zgjedhje do të garonin së bashku një parti politike shqiptare dhe një parti politike maqedonase, në këtë rast Lëvizja BESA dhe LSDM.
Të gjitha këto përgatitje pauzuan për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirusin, ku më 17 mars, në takimin e liderëve, që u mbajt përsëri në Kabinetin e Presidentit u arrit konsensus që të prolongohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Aktualisht vendi po ballafaqohet me koronavirusin, ndërsa akoma nuk është shpallur ndonjë datë tjetër për mbajtje të zgjedhjeve.



