Nëpërmjet një reagim në Facebook, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji shprehet se shëndetësia nuk është pronë e kryeministrit Edi Rama, ndërsa thekson se është një e drejtë e qytetarëve të cilët duhet të marrin shërbim.
Ai thotë gjithashtu se “qeveria po privatizon tenderat”, ndërsa e cilëson si “KAYO 2 në shëndetësi” dhe se fondet po kthehen në biznes që Edi Rama favorizon të përzgjedhurit e tij. Salianji shton se biznesmeni kontrovers, Ron Yeffet po kontrollon edhe tenderat e sistemit shëndetësor si ato të ushtrisë.
Reagimi:
KAYO 2 në shëndetësi, qeveria po privatizon tenderat! A po e merr nën kontroll të plotë çdo qindarkë të shëndetësisë Roni?
Rama po përgatit që me ligj tenderët për të gjithë sektorin e shëndetësisë ti lerë në një dorë të vetme, ndërsa shteti të heqë dorë dhe kompanitë private të krijuara nga superstruktura e ngjashme me KAYO-n të marrin kontrollin. Qeveria Rama i urren qytetarët dhe nuk po qeveris më për ta, por për të pasuruar një grusht klientësh.
Tanimë edhe fondet e shëndetësisë po kthehen në biznes për të favorizuar të përzgjedhurit e klientelës, duke prekur sektorin më të ndjeshëm: shëndetin dhe jetën e njerëzve.
Pasi dështoi të ndërtojë një sistem publik të denjë, pasi çdo koncesion i këtyre viteve përfundoi në SPAK për abuzime me miliona euro, tani po zgjedh ta dorëzojë shëndetësinë e bërë copë-copë dhe duke e zhvendosur paranë publike aty ku i leverdis politikisht, tek Ronat e tij!
Shqiptarët paguajnë taksa për të pasur spitale që funksionojnë, ilaçe dhe shërbim cilësor, jo për të financuar skema që qartësisht bëhen për favorizime dhe pasurime korruptive.
Shëndetësia nuk është pronë e Edi Ramës, është e drejtë e qytetarëve.
Çdo vendim që prek miliarda lekë të taksapaguesve duhet t’u përgjigjet interesave të pacientëve, jo interesave të pushtetit që kërkon të pasurohet në kurriz të shëndetit të shqiptarëve!



