Edhe një muaj pas parlajmërimit të ministrit Oliver Spasovski se do të inicojnë hetime ndërkombëtare për rastin e Kumanovës, ende asgjë konkrete nuk është publikuar në opinion për këtë paralajmërim. As Qeveria dhe as Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk kanë treguar nëse është bërë ndonjë hap drejt fillimit të hetimit ndërkombëtar, nëse është dërguar ndonjë kërkesë në institucionet ndërkombëtare dhe nëse tanimë kanë filluar hetimet. Spasovski dhe funksionarët e tjerë qeveritarë nuk kanë dhënë as hollësi se çfarë nënkupton hetim ndërkombëtar dhe kush duhet të bëjë këtë hetim për atë që ndodhi më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME (20.09.2017)
“Lidhur me ngjarjet e Kumanovës do të them dy gjëra, e para është se ky rast veçmë po merr një epilog gjyqësor, megjithatë ne si Qever kemi marrë obligim që të bëjmë një hetim shtesë edhe atë ndërkombëtar me qëllim që në mënyrë adekuate opinioni ta mësojë të vërtetën për këtë ngjarje, për atë që ka ndodhur në ngjarjet e Kumanovës dhe në përputhje me atë hetim të kemi një procedurë në të cilën do të besojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”
Kjo ishte deklarata e ministrit Spasovski dhënë në muajin shtator të këtij viti dhe e vetmja që atëherë. Televizioni Shenja për këtë çështje ju drejtua edhe kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski me pyetjen nëse gjatë kësaj periudhë është bërë ndonjë hap konkret dhe nëse hetimi ndërkombëtar ka filluar. Nga MPB premtuan se për këtë pyetje do të përgjigjen gjatë ditës në formë të shkruar.
Vitin e kaluar, pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm në Qeverinë teknike, Spasovski pati njoftuar se edhe ministria që drejton ka filluar hetime për ngjarjet e Kumanovës, por as nga këto hetime nuk doli asgjë e veçantë. Procesi gjyqësor përfundoi në bazë të hetimeve të kryera nga prokuroria dhe gjyqësia të cilat kishin filluar që në kohën e qeverisë së kaluar dhe 34 arrestuarit në luftimet e 9 dhe 10 majit u dënuan me 746 vjet burg, ndërsa 8 prej tyre me burg të përjetshëm. Vetëm katër persona nga ky rast u lanë të lirë. Arben Zeqiri /SHENJA/

