Pesë pikat ekzistuese dhe dy pikat e reja të pagesës që duhet të ndërtohen përgjatë “korridorit 10”, një vit e gjysmë kanë pritur lejen e ndërtimit. Muajin e kaluar lejet u miratuan nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Ata pritet të jenë të llojit më modern, ndërsa pagesa do të bëhet pa para në dorë, gjegjësisht me parapagesë dhe në mënyrë elektronike. Ende nuk ka datë të saktë se prej kur do të fillojë pagesa elektronike. Sipas drejtorit të agjencisë për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov, është duke u zhvilluar shpronësimi i truallit rreth pikës së pagesës “Ramanli” afër Kumanovës. Faktikisht, ky stacion do të jetë i pari ku do të mundësohet pagesë me parapagim dhe kartelë elektronike apo siç njihet “vinjetë”. Gjatë kontratës për marrjen e stacioneve pagesore nga kompania turke “Asalsan”, Qeveria e Nikola Gruevskit nuk ka arritur marrëveshje për periudhën e adaptimit, ku do t’u jepet hapësirë qytetarëve që të përshtaten me risitë.
Paramendoni sikur nesër në mëngjes, të gjitha pikat e pagesës të jenë elektronike. Ndërsa nuk parashihet pagesa me para të gatshme. U thashë se patjetër të ketë periudhë për adaptim. Këtë jam duke e diskutuar me kompaninë Asalsan- deklaroi Zoran Kitanov, drejtor i Agjencisë për Rrugë Shtetërore
Në “Korridorin 10” drejtë Greqisë dhe Serbisë, do të ketë dy stacione të reja pagesore, edhe atë në Demir Kapi dhe Gjevgjeli. Kjo do të thotë se nga Tabanovci deri në kufirin grek do të ketë shtatë pika pagesore. Në ndërkohë, do të modernizohen edhe pikat aktuale pagesore të korridorit 8. Të parat që do të kenë pamje të re janë pikat prej Shkupit deri në Gostivar. Ndryshe, në të kaluarën krahasuar me muajt e fundit të tremujorit të dytë të këtij viti, janë grumbulluar shumë më pak mjete nga pagesa.
Gushti dhe shtatori i këtij viti nga aspekti financiar janë muajit më të mirë se çdo gusht dhe shtator prej kur ekzistojnë pikat pagesore. Nëse bëjmë krahasim me gushtin dhe shtatorin e vitit të kaluar, diferenca është 30.5 milion euro- shtoi Zoran Kitanov.
Ish kryeministri Nikola Gruevski këtë projekt e premtoi në nëntor të vitit 2014 dhe u deshtë të jetë gati për 18 muaj, por shënoi ngecje. I tërë investimi pritej të kushtojë rreth 18 milion euro, prej të cilave 15 nga Banka Evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim ndërsa pjesa e mbetur prej mbi 3 milion nga arka e shtetit.
/Verica Pavlovska

